"Të enjten në ora 11:00, të gjithë tek bashkia’" Berisha: Dënoj sulmin rrugaçëror mbi Tedi Blushin, Veliaj fshihet pas Maznikut
Lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që ditën e enjte në orën 11:00 të mblidhen të gjithë te protesta te Bashkia e Tiranës.
Gjithashtu Berisha ka dënuar sulmin rrugaçëror mbi Tedi Blushin dhe sipas tij Veliaj tenton të fshihet pas Maznikut.
Berisha: Miqtë e mi, ditën e enjte është dita e protestës së fuqishme para bashkisë së Tiranës, kundër kryehajdutit të kryeqytetit, Erion Veliajt. Të enjten në ora 11:00, të gjithë tek bashkia. Ky kryehajdut sot e shndërroi zyrën e kryetarit në arenë përleshjesh dhe agresoi Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, këshilltarin Tedi Blushi.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt rrugaçërie të tij dhe këshilltarëve të tij dhe i them se personalisht do bëhesh përgjegjës për aktin më të vogël të dhunës dhe rrugaçërive ndaj këshilltarëve. Miqtë e mi, tani kërkon të fshihet pas Maznikut. Mazniku është një hajdut, e keni parasysh ju Maznikun, Mister Biftekun 1 mijë euro, bashkë me Belindën? Është e vërtetë se ka qenë kryetari i autoritetit kontraktor.
Por është e vërtetë se me djegësit është direkt Erion Veliaj. Është e vërtetë se hoteli 20-katësh, me pesë yje në Durrës, sipas punonjësve të ndershëm, është pronë e Erion Veliajt. Prandaj dhe e enjtja është dita në të cilën ne duhet ta nxjerrim për zverku nga bashkia. Dita e ngadhënjimit të qytetarëve. Dita e guximit dhe revoltës qytetare.
