Basha: Deputetët opozitarë të mos e votojnë mbylljen e listave zgjedhore

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se “mbyllja e listave është një shuplakë ndaj qytetarëve dhe një tjetër goditje ndaj Gjykatës Kushtetuese”.

Basha thotë se çdo deputet që me votën e marrë nga qytetarët dhe opozitarët bëhet pjesë e këtij pazari për të mbyllur listat, bëhet pjesë e pazarit për shitjen në tavolinë të zgjedhjeve të ardhshme.

Për këtë ai shprehet se Demokratët Euroatlantikë refuzojnë me forcë këtë allishverish mes Ramës e Berishës, dhe i bën thirrje çdo deputeti të votojë në interes të qytetarëve.

“Pas pazarit të amnistisë, pazarit për vulën dhe goditjeve të koordinuara ndaj SPAK, ata duan t’u heqin qytetarëve të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”, shkruan Basha.

“Për shkak të hallit të përbashkët, Rama dhe Berisha kërkojnë një Parlament të dobët, nën urdhërat e tyre dhe oligarkëve me të cilët ndajnë pushtetin ekonomik dhe politik.
Shqiptarët nuk meritojnë këtë pazar në kurriz të demokracisë, përmes të cilit Rama mban pushtetin, ndërsa Berisha teatrin opozitar”, vijon Basha.

“Çdo deputet që me votën e marrë nga qytetarët dhe opozitarët bëhet pjesë e këtij pazari për të mbyllur listat, bëhet pjesë e pazarit për shitjen në tavolinë të zgjedhjeve të ardhshme. Ne e refuzojmë me forcë këtë allishverish mes Ramës e Berishës, dhe i bëjmë thirrje çdo deputeti të votojë në interes të qytetarëve, e jo për interesat personale të Edi Ramës dhe Sali Berishës që janë bërë bashkë për interesat e tyre, kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Shqipëria meriton më shumë!”, përfundon Basha.