Balluku: Projekt për shndërrimin e sipërfaqeve publike në bypass-in e Vlorës në zona pushimi për qytetarët dhe turistët

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishte sot në bypass-in e Vlorës ku është bërë e mundur, përmes ndërhyrjes së IKMT, largimi i subjekteve, të cilat kishin zaptuar sipërfaqet publike për të ushtruar aktivitet tregtar.

Balluku u shpreh se, këto subjekte kanë dëmtuar edhe elementë të sigurisë rrugore. Zv/kryeministrja u shpreh se, do të nisë projekti për shndërrimin e këtyre pikave në zona pushimi për të gjithë qytetarët dhe turistët.

“Javët e fundit kemi parë disa subjekte që kanë filluar t’i përdorin këto platforma, duke i mbyllur me gardh si një pronë private dhe duke i kthyer edhe në njësi për aktivitet tregtar”, tha Balluku.

Në këto kushte, shtoi Balluku, “kemi marrë vendimin që tashmë me ndihmën e FSHZH-së të arrijëm të ngremë një projekt të mirëfilltë që do të përdoret nga të gjithë qytetarët, shqiptarë apo të huaj, vizitorët, duke qenë se panorama është e jashtëzakonshme dhe për të mbyllur një herë e mirë të gjithë këto ëndrrat që kanë në sirtar subjekte të ndryshme që vazhdojnë me idenë, vendosim flamurin dhe atëherë është tokë e zënë”.

“Duhet të nisim menjëherë projektimin e saktë, ashtu siç kemi bërë me platformën në Llogora, për ta kthyer në një platformë me kushte dhe parametra sigurie, çka është shumë e rëndësishme”, u shpreh Balluku.