Bashkëpunim me arbëreshët e Italisë, Osmani e Kurti takojnë kryetarin e Strigarit

Kryetari i komunës arbëreshe të Strigarit, Damiano Baffa po zhvillon një vizitë në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryetarin e komunës arbëreshe të Strigarit, Damiano Baffa.

Sipas presidentes Osmani, identiteti kulturor e gjuhësor arbëresh është pjesë e çmueshme e identitetit dhe e kulturës shqiptare.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për ruajtjen e identitetit arbëresh si dhe përmirësimin e pozitës së tyre në shtetin italian.

Në takim u diskutua mbi mundësinë e bashkëpunimit të Strigarit me komunat e Kosovës në funksion të promovimit të kulturës arbëreshe në Kosovë dhe anasjelltas, si dhe ruajtjes së trashëgimisë e shkëmbimeve kulturore.

Më herët sot kryeministri Albin Kurti priti në takim kryetarin e Strigarit, Damiano Baffa, komunë kjo arbëreshe në rajonin e Kalabrisë dhe në afërsi të qytetit Kozenca në jug të Italisë.