PDK kërkon dorëheqjen e Haxhiut/ Opozita në Kosovë: Të dorëhiqet ministrja e Drejtësisë për arratisjen nga burgjet
Opozita në Kosovë ka kërkuar dorëheqjen e ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe marrjen e saj në pyetje nga prokuroria speciale. Sipas Partisë Demokratike të Kosovës arratisjet nga burgjet atje janë kthyer në një problem serioz për sigurinë dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.
Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, të shtunën në një postim në Facebook ka thënë se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, përfshirë edhe ajo e Faton Hajrizit, janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.
Në lidhje me këtë deklaratë Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje që të shkarkohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe të intervistohet nga Prokuroria Speciale.
“Nëse Serbia është prezente në burgjet e Kosovës, çfarë bën Ministrja e Drejtësisë në detyrën e saj? Kjo është pyetja themelore që ngre çdo qytetar sot. Kjo deklaratë ngre çështje serioze të sigurisë kombëtare të vendit dhe nuk mund të mbetet pa u sqaruar”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se shërbimi Korrektues i Kosovës, si një agjenci ekzekutive e sigurisë që operon nën Ministrinë e Drejtësisë, është përgjegjës për këto raste.
“Kjo deklaratë, për mua dhe Partinë Demokratike të Kosovës përbën një akt dorëzimi të ministres së drejtësisë përballë detyrimeve të saj ndaj kushtetutës, ligjit dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo është një situatë e paprecedent që tregon inkompetencën, papërgjegjshmërinë dhe dështimin e ministres Haxhiu”, ka thënë Gruda.
Sipas PDK, Kosova ka nevojë për një drejtim të ri në fushën e drejtësisë që do t'u garantojë sigurinë qytetarëve, respektimin e ligjit dhe kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
