Aksidentoi një të moshuar për vdekje, arrestohet 29-vjeçari dhe i vëllai
Një muaj më parë, në datën 15 qershor 77 vjeçar Zylyf Këlliçi u aksidentua për vdekje në aksin Plepa Shkozet. Pas një muaji policia ka bërë të mundur vënien në pranga të 29 vjeçarit që dyshohet se shkaktoi aksidentin.
Bëhet fjalë për A.S., 29 vjeç banues në Tiranë, i cili u kap në vijim të veprimeve hetimore nga Prokuroria e Durrësit. A.S., akuzohet për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Gjithashtu policia ka ndaluar me iniciativë vëllanë e 29 vjeçarit, M.P. 25 vjeç. Ky i fundit u ndalua pasi A.S., ka deklaruar se në momentin e aksidentit automjeti drejtohej nga vëllai i tij M.P.
‘Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 11:00 të datës 15.06.2024, në lagjen nr.13, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi Z. K., 77 vjeç, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore:
-ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit A. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”;
-ndaluan me iniciativë vëllanë e 29-vjeçarit, shtetasin M. P., 25 vjeç, pas deklarimit të shtetasit A. S. se në momentin e aksidentit, automjeti drejtohej nga shtetasi M. P.’, njofton policia.
Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore për gjetjen e përgjegjësisë penale për këta shtetas.
