Sulejmani: AMP, 249 referime penale në prokurori gjatë vitit 2023
Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi sot seancë dëgjimore me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, lidhur me raportimin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2023.
Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Florian Sulejmani në fjalën e tij foli për disa nga nga treguesit kryesorë të performancës gjatë vitit 2023.
“Ankesat e marra nga qytetare për vitin 2023 janë 1522, të ardhura nëpërmjet linjës të gjelbër 0800 90 90, 4203, inspektime të planifikuara 4, inspektime të paplanifikuara 47, struktura të inspektuara 40”, tha ai.
Sa i përket rezultateve, Sulejmani tha se, “janë dhënë gjithsej 35 rekomandime për përmirësimin e situatës. Është rekomanduar fillimi i ecurisë disiplinore për 95 punonjës të strukturave. Përkatësisht për shkelje të rëndë për 15 punonjës dhe për shkelje të lehtë për 80 punonjës”.
Ai tha se, “kryesisht ankesat e qytetarëve evidentojnë shkelje të karakterit administrativ në ato struktura që janë në vijnë e parë të veprimit dhe në konktakt të drejtpërdrejtë me publikun, siç janë strukturat e sigurisë publike, policisë rrugore apo hetimit të krimit, të cilat janë dhe më të rriskuar në aspektin e veprimeve korruptive”.
Sulejmani u shpreh se, Komisioni i Hetimit Disiplinor të AMP ka drejtuar praktika dhe ka marrë vendime në ngarkim të 117 punonjësve.
“Në përfundim të tyre për 4 punonjës është dhënë masa përjashtim nga Policia, për 3 punonjës është dhënë masa shtyrja e afatit të gradimit deri në 2 vjet, për 10 punonjës është dhënë masa shtyrja e afatit të gradimit deri në 1 vit, për 22 është dhënë masa shtyrja e afatit të gradimit deri në 6 muaj, për 6 punonjës është rekomanduar masa disiplinore për shkelje të lehtë, për 38 punonjës është vendosur mos fillim i hetimit, për 36 punonjës është vendosur përfundimi i hetimit pa masë disiplinore dhe për 14 punonjës është pezulluar hetimi disiplinor”.
Sa i përket hetimin procedurial penal, Sulejmani tha se, janë referuar drejt prokurorive rreth 249 referime penale për 342 subjekte të strukturave mbikëqyrëse.
Nga të cilët, tha ai, “53 punonjës janë ndaluar/arrestuar në kushtet e flagrancës dhe 316 punonjës janë hetuar në gjendje të lirë”.
Ndërsa për hetimet proaktive në ndjekje me SPAK dhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Sulejmani u shpreh se, “janë ekzekutuar masat e sigurisë “arrest me burg” për 24 punonjës të strukturave dhe 5 shtetas, “arrest në shtëpi” për 10 punonjës të strukturave dhe 1 shtetas, pezullimi i ushtrimit të detyrës është caktuar për 50 punonjës të strukturave dhe 3 shtetas dhe detyrimi i paraqitjes në policinë gjyqësore është caktuar për 4 shtetas”.