Caktoi datën për zgjedhjet në Himarë, Beleri dërgon Presidentin në Gjykatën Administrative
Alfred Beleri “godet” në Gjykatën Administrative dekretin e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve ne Bashkinë Himarë. Sipas avokatëve mbrojtës të Belerit në Administrative kërkohet pezullimi i zbatimit të dekretit.
“Marrjen e masës së sigurimit të padisë. Pezullimi i zbatimit të Dekretit nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar”, thuhet në objektin e padisë së depozituar në Administrative.
Opozita e quan dënimin e Belerit si sulm politik nga qeveria Rama, për të mos lënë Bashkinë e Himarës jashtë drejtimit të socialistëve.
Çështja Beleri tensionoi edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë, pasi kjo e fundit disa herë kërcënoi se do të ndikonte në integrimin e vendit në BE. Beleri fitoi gjithashtu një mandat si eurodeputet, përfaqësues i Greqisë, pasi u kandidua nga Demokracia e Re e kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis për këtë post.
