Zgjedhjet e 4 Gushtit, Rama mbledh Kryesinë: Vangjel Tavo kandidat për bashkinë e Himarës. Ja kur do të mbahet Kongresi
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë hënë Kryesinë e Partisë Socialiste, teksa takimi ka nisur në orën 08:30 në selinë rozë.
Mësohet se në fokus të diskutimeve do të jenë zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Himarës, ku duket se kreu i qeverisë do t’u prezantojë të tijëve emrin që do të kandidojo. Gjithashtu, mësohet se pjesë e diskutimeve do të jetë edhe përgatitjet për Kongresi e PS-së më 27 korrik.
Kështu Prefekti i Qarkut të Vlorës dhe ish-ministri i LSI-së, Vangjel Tavo, me të cilin ka filluar prej kohësh fushatën, është votuar nga kryesia e Partisë Socialiste si kandidat për zgjedhjet në bashkinë e Himarës.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në një prononcim për mediet u shpreh sot se kandidatura e Tavos “vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone dhe i asaj krahine”.
“Garat elektorale e kanë përgatitur atë që të jetë përfaqësuese e atij komuniteti. 4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale. Shkojmë për të pasur një fushatë të qetë”, u shpreh Blendi Klosi pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS.
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë për kreun e Bashkisë do të zhvillohen më 4 gusht. Presidenti Bajram Begaj dekretoi këtë datë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin Fredi Belerit pasi është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite burgim për shit/blerje votash.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendosi ditën e premte për ta shpallur të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, e cila e dënoi me 2 vite burg për krim zgjedhor.
Dhe brenda disa orësh Presidenti Bajram Begaj caktoi 4 Gushtin si datë për zgjedhjet e reja, pas shkresës së marrë dhe nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që brenda ditës takoi edhe Celibashin.
Kreu i shtetit Bajram Begaj nuk priti afatin prej 30 ditësh që Fredi Beleri ka për të ankimuar vendimin e KQZ-së, për heqjen e mandatit, përpara se të dekretohej data për zgjedhjet e reja në Himarë.



