DËSHTON REFORMA/ PS depoziton në Kuvend DRAFTIN e saj: Nisma e propozuar adreson vetëm...
Partia Socialiste ka dorëzuar projektligjin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Vendimi ka ardhur pas dështimit të komisionit të posaçëm të drejtuar nga Damian Gjiknuri dhe Gazment Bardhi.
Në letrën drejtuar Kuvendit, socialistët theksojnë se: “Në pamundësi të konsensusit me opozitën në grupin e dialogut, nisma e propozuar adreson vetëm reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë detyrim për Kuvendin.
Përcaktohen modalitetet që e bëjnë të zbatueshme votën e emigrantëve që në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
Gjithashtu, propozimi për formulën e re të përcaktimit të herësit në ndarjen e mandateve brenda partisë / koalicionit”
Sipas këtij dokumenti, do të jetë KQZ që do të administrojë procesin e votimit të emigrantëve. Kjo do të realizohet përmes krijimit të një regjistri të votuesve nga jashtë që kanë vendbanim të përhershëm atje.
Po ashtu, PS nuk ka propozuar që të ketë një zonë të veçantë për zgjedhjen e diasporës, por vota e tyre do të dorëzohet në KQZ që do të bëjë fillimisht ndarjen sipas zonës së banimit që kanë të regjistruar në Shqipëri e më pas do të bëjë numërimin.
Lista e zgjedhësve do të jetë e hapur 100 ditë para votimeve dhe do të cilësohet e mbyllur 50 ditë para datës,
Socialistët kanë rishikuar dhe herësin, por duke mos vendosur lista tërësisht të hapura.
Mandatin do ta marrë i pari ai kandidat që ka numër më të madh votash se mesatarja që ka partia politike. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota.
Dokumenti është dorëzuar në parlament me firmën e Bledi Çuçit, Damian Gjiknurit, Klotilda Bushkës, Blerina Gjylametit, Toni Gogut, Klevis Xhoxhit dhe Arben Pëllumbit.
Në këtë mënyrë nuk është pranuar propozimi i demokratëve për lejimin e koalicioneve, por po ashtu i është lënë në dorë rregullatorit të shprehet nëse emigrantët do regjistrohen në “e-Albania”, apo në rrugë tjetër.

PROJEKTLIGJI I DEPOZITUAR NË KUVEND


