“BOEING” PRANON FAJIN/ Qindra viktima nga aksidentet me avionë, problem siguria
Kompania e avionëve “Boeing” ka pranuar akuzat për mashtrim, pasi ka shkelur marrëveshjen për të rishikuar kushtet e sigurisë. Qindra persona kanë humbur jetën në aksidentet e avionëve të kësaj kompanie dhe familjet e viktimave kërkojnë drejtësi
“Boeing” ka rënë dakord të pranojë fajësinë për akuzën për komplot mashtrimi, pasi SHBA zbuloi se kompania kishte shkelur marrëveshjen që synonte ta reformonte atë pas dy aksidenteve fatale të avionëve të saj, ku humbën jetën 346 persona.
Megjithatë, të afërmit e njerëzve që u vranë në fluturimet e 5 viteve më parë e kanë kritikuar atë si një pakt që do të lejonte “Boeing” të shmangte përgjegjësinë e plotë për vdekjet.
Marrëveshja tani duhet të miratohet nga një gjykatës amerikan, ndërsa Departamenti i Drejtësisë deklaroi se prodhuesi kishte rënë dakord, gjithashtu, të paguante një gjobë penale prej 243.6 milion dollarë.
Duke u deklaruar fajtore, kompania “Boeing” do të shmangë gjyqin penal, diçka për të cilën familjet e viktimave e kanë kërkuar me ngulm.
Kompania ka qenë në krizë për rekordin e saj të sigurisë që nga dy përplasje pothuajse identike që përfshinin avionët “737 Max” në vitin 2018 dhe 2019. Kjo çoi në pushimin global të fluturimeve të tij për shumë se një vit.
Akuzën për komplot për të mashtruar rregullatorët, prokurorët e ngritën në vitin 2021, duke pretenduar se kishte mashtruar Administratën Federale të Aviacionit në lidhje me sistemin e tij të kontrollit të fluturimit, në të dy aksidentet.
Ata ranë dakord të mos e ndiqnin rastin, nëse kompania paguante një gjobë dhe përfundonte me sukses një periudhë trevjeçare të rritjes së monitorimit dhe raportimit.
Por incidente të tjera, fatmirësisht pa viktima u shënuan njëri pas tjetrit dhe vëmendja u përqendrua sërish tek problemet e “Boeing”.
Kompania gjithashtu vazhdon të përballet me hetime dhe padi të shkaktuara nga incidenti në fluturimin e janarit të “Alaska Airlines”.


