"Bllokohet" Le Pen, Kutra: Asgjë s'është e qartë se kush do jetë kryeministri i ri të Francës
E djathta ekstreme franceze “Rassemblement National” (RN) nuk ka arritur të përsërisë suksesin e arritur në zgjedhjet evropiane, pasi nuk ia doli të arrijë shumicën në zgjedhjet parlamentare.
Kjo pasi në vend të së djathtës ekstreme, tashmë është aleanca e majtë Fronti i Ri Popullor (NFP) që ka shënuar surprizën e këtyre votimeve
Në një lidhje me skype për “Ora Neës” gazetari i “France 24”, Artan Kutra solli informacionet më të fundit që vijnë nga procesi i votimeve të së dielës në Francë.
“182 deputetë në parlament. Koalicioni i presidentit Macron forcë e dytë me 157 deputetë . Bashkimi Kombëtar i Marine le Pen dhe Bardella renditen të tretët, duke shuar kështu ëndrrën e Bardellas për t’u bërë kryeministër.
Ajo që është e paqartë është fakti se askush tashmë nuk e di se kush do të jetë kryeministri i ri i Francës.
Kjo pasi edhe vetë koalicioni i ekstremit të majtë ka disa të çara brenda radhëve të tij. gjithsesi pamja do të bëhet më e qartë në orët e ardhshme pasi të dalin rezultatet zyrtare të këtyre zgjedhjeve.
Fronti i Ri Popullor nga ana e tij pavarësisht suksesit nuk mund të formojë i vetëm qeverinë e re dhe bashkëpunimi me partitë e tjera duket disi i vështirë”, u shpreh ndër të tjera gazetari i “France 24”, Artan Kutra.
Në shumë vende, kandidatët e majtë ose të qendrës ishin tërhequr, për të lejuar që vota kundër RN të përqendrohej në një pretendent, pasi partia e ekstremit të djathtë rezultoi mirë në raundin e parë të votimit javën e kaluar.
Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë të tensionuar, me 30 000 policë të vendosur në të gjithë Francën.


