Civici: Ulja e normës bazë së interesit, ndikim të prekshëm për qytetarët

Banka e Shqipërisë uli një ditë më parë normën bazë të interesit në nivelin 3.0 %.

Eksperti për ekonominë, Adrian Civici, në një intervistë në medie deklaroi se vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit me 0.25 % ishte i pritshëm.

“U bënë 2-3 tremujorë që inflacioni është në rënie dhe natyrisht që përgjigjja aduekuate nga Banka e Shqipërisë duhet të ishte fillimi i ndërprerjes së trajktores rritëse të normës bazë të interesit e fillluar me 1 % në mars të 2022, për të hyrë në një trajketore rënëse në mënyrë që të ndikojë në këtë inflacion të ulët, por edhe njëkohësisht si faktor i rëndësishëm për të mbajtur inflacionin brenda atij intervalit 3 %, që sipas parashikimeve mund të kemi një përafrim në muajt në vazhdim”, tha ai.

Civici u ndal edhe të efektet në ekonomi, ku tha se ato mund të fillojnë të ndihen më shpejt sa parashikohet.

Sipas tij, një ndër efektet më të prekshme për qytetarët dhe bizneset do të jetë ulja e përqindjeve të interesit për kreditë e marra në lekë. Ky vendim, sipas tij, do të stimulojë edhe shtimin e përdorimit të lekut në ekonomi.

“Politika monetare, përveç shifrës konkrete të normës bazë të interesit, ka efekt edhe si mesazh që jepet nga bankat dhe mesazhi i uljes së normës bazë dhe fillimi i një trajektoreje zbritëse tregon se efektet e saj mund të fillojnë dhe në mënyrë më të shpejtë se efekti klasik nga 3-18 muaj pasi merren”, shprehet Civici.

Kjo është arsyeja, thekson Civici, pse në shpjegimin e guvernatorit Sejko analizohen me detaje faktorët që kanë çuar në këtë vendimmarrje.

“Së pari, rezultati pozitiv i rritjes ekonomike dhe stabilitetit ekonomik, është qetësia në tregjet monetare dhe financiare, ku nuk ka pasur aksese ose fenomene shqetësuese, ka të bëjë me rritjen e nivelit të kreditimit, sidomos e kredisë në lekë, që shpreh besimin te monedha kombëtare, por tregon edhe një prirje të rritjes konsumatore të kësaj kredie për të shmangur kursin e këmbimit”, tha Civici.

Me një efekt edhe të pashprehur, vijoi ai, është edhe fakti që duke u ulur norma bazë e interesit, tregu ka prirje ta shtojë ofertën monetare, që mund të ndikojë në një lloj qetësimi të kursit të këmbimit.

“Efekti direkt i pritshëm dhe më i prekshëm nga qytetarët apo bizneset është ndikimi që kjo ketë kjo ulje e normës së interesit ndoshta pas 3 apo 6 muajsh, reflektohet në uljen e përqindjeve të interesit për kreditë e marra në lekë, element pozitiv jo vetëm për ata që marrin kredi që i marrin më të lira, por edhe ata që janë në proces kredie shlyrjeje në lekë”, nënvizoi ai.

Më tej, ai theksoi se krahas nevojës për të shtuar rezervën valutore, këto veprime të Bankës së Shqipërisë kanë ndikim edhe në zvogëlimin e sasisë së euros në Shqipëri, për të stabilizuar kursin e këmbimit, ndërsa vendimi për uljen bazë të interesit, stimulon shtimin e përdorimit të lekut në ekonomi, e kredisë si pasojë e normave të interesit më të ulëta dhe bën të njëjtin efekt në sensin e kundërt në favor të stabilizimit të kursit të këmbimit me euron.