Fund surprizues në Austri, triumfon Mercedesi i George Russell

Fund surprizues në Çmimin e Madh të Austrisë, aty ku ia doli të triumfojë britaniku George Russell me Mercedesin e tij.

Piloti i skuadrës gjermane përfitoi maksimalisht nga një incident mes Max Verstappen dhe Lando Norris, për të marrë vendin e parë dhe për të mos e lëshuar më deri në fund.

Fill pas Russel, garën e përfundoi Oscar Piastri me McLarenin e tij, ndërsa në podium u ngjit edhe piloti i Ferrarit, Carlos Sainz.

Mbylli garën i katërti Lewis Hamilton, i cili la pas pikërisht Verstappenin, me pilotin e Red Bull që pas incidentit, ia doli të rikthehet në garë dhe të luftojë deri në fund.

Garë për t’u harruar për pilotin tjetër të Ferrarit, Charles Leclerc, i cili përfundoi në bokse që në xhiron e parë, pas një përplasjeje me Piastrin, që i shkaktoi dëme të cilat nuk e lejuan të vijojë garën.

Vlen të theksohet se kjo është fitorja e dytë në karrierë për George Russel, pas triumfit në Çmimin e Madh të Brazilit në vitin 2022.