Jo ''injorantë'' me shkollë/ Nora Malaj: Duhen politika të reja për mësuesit dhe buxhetin e arsimit
Arsimit i duhet reforma të thella që nesër të mos nxjerrim injorantë me shkollë të lartë.
Kjo është thirrja e ish-zv ministres së Arsimit Nora Malaj pas rezultateve të programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) ku Shqipëria renditet në vendin e fundit.
Vetëm 13 pikë morën 15-vjeçarët shqiptarë në matjen e aftësisë së nxënësve në “të menduarit krijues”, pra angazhimi i tyre në mënyrë produktive në gjenerim, vlerësim dhe përmirësimin të ideve.
‘’Është domosdoshmëri të merret me shumë seriozitet ky problem’’.
Malaj thotë se e gjitha kjo situatë ka të bëjë me cilësinë e arsimit.
Problematika kryesore për të vazhdon të mbeten kurrikulat.
‘’Ne nuk kemi fëmijë që nuk kanë aftësi krijuese.
Por ne duhet të ndryshojmë sistemin e kurrikulës dhe modelin e mësimdhënies.
Është e domosdoshme dhe është kthyer në prioritet kombëtar formimi i mësuesve.
Është e nevojshme që të bëjmë ndryshimin e nevojshëm që kemi për kurrikulën dhe për nevojën që mësuesin mos ta kthejmë në nënpunës port a kthejmë në lidership’’.
Ish zv.ministrja kërkon nga qeveria që të rrisë buxhetin për arsimin.
‘’Ka ardhur momenti që buxheti i arsimit të mos jetë poshtë 4%.
Kjo është detyrë kombëtare’’.
Studentë në Shqipëri kanë demonstruar rënien më të madhe në performancë në të menduarin krijues, 3 pikë më pak sesa pritej, sipas raportit zyrtar të PISA, si për matematikën ashtu edhe për performancën në lexim.
