EMRI/ Vrasja e ish-oficerit të krimeve Roland Rexhepi, shpallet në kërkim 50-vjeçari
Një tjetër autor është identifikuar si i përfshirë në vrasjen e ish-oficerit të Krimeve Roland Rexhepi në vitin 2009.
Bëhet fjalë për shtetasin Gëzim Balla, 50-vjeç.
Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim G.B, banues në Elbasan, ndërsa gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për veprën penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Në korrik 2009 mbeti i vrarë ish-efektivi i antidrogës Roland Rexhepi, i cili njihej me nofkën ‘Doda’.
Deri më tani policia ka vënë në pranga Marjus Tafën, Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg, Florind Shabanin, i ekstraduar në fillim të janarit 2022 nga Gjermania, si dhe Donald Hoxhën, i cili u ekstradua nga Anglia dy muaj më parë.
Dyshohet se në bashkëpunim kanë ekzekurtuar ish-oficerin e krimeve.
Njoftimi i policisë:
Vijon intensivisht puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve të vjetra kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në to.
Si rezultat i hetimeve, identifikohet një tjetër autor i implikuar në një vrasje, të ndodhur në vitin 2009.
Në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe partnerët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Për këtë ngjarje janë arestuar 4 shtetas, njëri prej të cilëve është ekstraduar nga Anglia, 2 muaj më parë.
I ekstraduari nga Anglia i lokalizuar falë informacionit që dispononte DVP Elbasan dhe Departamenti i Policisë Kriminalë, si edhe shkëmbimit në kohë të informacionit me autoritetet ligjzbatuese angleze.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si rezultat i hetimeve intensive proaktive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si edhe identifikimin e shtetasve të përfshirë në to, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin G. B., 50 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".
Shtetasi G. B., dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. Ll., M. T., F. Sh. (të arrestuar) dhe D. H., (i ekstraduar nga Anglia 2 muaj më parë), kanë vrarë shtetasin R. R., në vitin 2009, në Elbasan.
Strukturat hetimore të DVP Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë intensivisht punën për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
