Zgjerohen hetimet e dosjes ''5D'', Gjykata e Apelit: Të verifikohet objekti dhe nëse ka grup kriminal

Prokuroria e Posaçme pritet të shtrijë edhe më tej hetimet sa i përket dosjes 5D në bashkinë e Tiranës.

Pas shqyrtimit të çështjes në gjykatën e Apelit, trupa ka sugjeruar të verifikohen prokurimet duke nisur nga viti 2016 deri në vitin 2022 ku subjekti ka rezultuar fitues në 23 procedura.

Gjithashtu është kërkuar që të verifikohet objekti ku është duke u ndërtuar në Durrës ku në mesazhet e një prej punonjësve të kompanisë flitet për pronësinë e tij.

Nga ana tjetër SPAK i është kërkuar që të punojë për të verifikuar të gjithë ata që kanë ndihmuar Nestrot Muhametllarin që është në shkresa pronar i kompanisë 5D.

Një tjetër hap duket se do të jetë verifikimet e tij si brenda firmës ashtu edhe jashtë saj për çështjet që kanë të bëjnë me hetimin.

Sa u përket subjektit, Apeli ka sugjeruar përgjegjësinë e firmës si dhe të shihet nëse kompanitë e tjera që kanë bashkëpunuar kishin informacion se çfarë përfaqësonte ajo si dhe të shihet nëse do të duhet që 5D të vihet nën sekuestro.

Gjykata Apelit nga ana tjetër propozon që ish drejtorët Redi Molla, Mariglen Qato dhe Nestor Muhametllari të verifikohet në kuadër të një grupi kriminal.

Roli i anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave po ashtu do të duhet të jenë nën sitën e prokurorisë së posaçme.

SPAK arrestoi në muajin mars Qaton dhe Mollën duke akuzuar se ata ishin pronarët faktik të kompanisë 5D duke shtuar se i kanë dhënë tendera në kundërshtim me ligjin.