INSTAT: Bie numri i krerëve të bagëtive dhe e prodhimeve blegtorale, rritet prodhimi i mjaltit

Nga viti 2013 deri në vitin 2023 shqipërisë i mungojnë 2 milionë e 760 mijë krerë bagëti.

Të dhënat zyrtare të INSTAT flasin për një ulje të ndjeshme vit pas viti në ferma.

Reduktimi ka vijuar edhe në dy vitet e fundit.

Sipas INSTAT vendin tonë në vitin 2021 llogariteshin 278 mijë lopë ndërsa në fund të dhjetorit që lamë pas numri ra në 232 mijë, ndërsa numri i deleve ra nga 1 116 000 më 2021 në 1 006 000 në 2023.

Bashkë me uljen e numrit të krerëve të të gjitha bagëtive ka ardhur edhe rënia e prodhimeve blegtorale.

Sipas INSTAT vendi ynë ka prodhuar në vitin 2021, 1 013 020 tonë qumësht ndërsa në vitin 2023 kemi prodhuar vetëm 900 569 tonë.

Gjithashtu rënie ka pasur edhe në prodhimin e mishit, ku në vitin 2021 Shqipëria ka prodhuar 148 169 tonë ndërsa në vitin 2023 kemi prodhuar 135 483 tonë mish.

Të vetmet që janë rritur në numër janë bletët, ku në 2021 kishte 394 mijë koshere ndërsa në 2023 janë 519 mijë të tilla.

Me shtimin e koshereve të bletëve është shtuar edhe prodhimi i mjaltit ku nga 4835 tonë mjaltë në 2021, shifra ka shkuar në 5633 tonë në 2023.