KUJDES NGA VAPA! Dasho: Djersitja e tepërt, shenjë dalluese e goditjes nga i nxehti. Ja rreziqet dhe çfarë duhet të kini parasysh
Mjeku epidemiolog Erion Dasho nga studioja e emisionit të lajmeve në “Ora News” foli mbi rreziqet për shëndetin që vijnë si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë prej pak ditësh.
“Tani është momenti i duhur për të folur mbi këtë temë duke qenë se dhe sezoni i verës sapo ka nisur. Ajo çfarë ndodh janë tre nivelet e ekspozimit ndaj temperaturave të larta.
Ajo që ne i themi goditja nga vapa, apo nga i nxehti është goditja më e rëndë që i ndodh trupit dhe kur i nxehti arrin të çrregullojë komplet funksionimin.
Sepse trupi i njeriut qëndron gjithmonë në nivelet e 36 – 37 gradëve , temperaturë optimale e funksionimit të trupit të njeriut.
Kur ndodh goditja nga i nxehti, trupi e ka të pamundur të përballojë rritjen e temperaturave gjë që mund të çojë deri në vdekje.
Kur ndodh që trupi nuk arrin të zëvendësojë ujin dhe kripërat minerale që humbet gjatë djersitjes, ndodh ajo spazma muskulore, që është dhe shenja e parë dhe që duhet përdorur si alarm më pas për personat që janë më të rrezikuar nga i nxehti. Nëse vazhdon kjo djersitje, personi nis e ndjen dobësi, marrje mendsh, i dhemb koka dhe të gjitha këto janë tregues që personi po shkon në fazën e mos përballimit të temperaturave të larta”, u shpreh ndër të tjera mjeku Erion Dasho.

