Halilaj: Që të mos ketë probleme me provimet e Maturës, duhet që ato të bëhen online siç bëhet me mësuesit

Matura shtetërore 2023-2024 zhvillon nesër provimin e fundit atë në Matematikë.

Ashtu si çdo vit edhe këtë vit përgatitjet e ministrisë dështuan për të evituar problemet dhe nxjerrjen e tezave në dy testet e para.

Lidhur me këtë çështje Isa Halilaj, zëvendësPresidenti i Sindikatës së Mësuesve në studion e lajmeve në “Ora Neës” hodhi idenë që në mënyrë që të shmanget publikimi i testeve, atëherë provimet duhet të bëhen në një sistem online ashtu siç ndodh me mësuesit.

“Duhet që provimet e Maturës të jenë provime përmbyllëse dhe pastaj të jenë provimet në universitet dhe të mos jenë të përfolura rezultatet e tyre që në fillim të maturës.

Ose investimi më i mirë është që të bëhet një provim online nga të gjithë maturantët dhe rezultatin ta marrin aty direkt, ashtu sikurse bëhet kur jepet licenca e mësuesve.

Prandaj, duhet me patjetër një investim i mirë në arsim.

Problematika të tjera ka shumë, ashtu siç është dhe parashtruar edhe nga PISA.

Po ashtu dëmi i madh që i bëhet arsimit shqiptar është fakti që pjesa e mirë e maturantëve i ndjekin shkollimet e larta jashtë vendit dhe pjesa më e madhe e tyre nuk kthehen më.

Dhe të mos harrojmë faktin se prindërit shqiptarë paguajnë më shumë për arsimimin e fëmijëve të tyre se askush tjetër në Evropë dhe kjo në raport me të ardhurat.”, theksoi ndër të tjera Isa Halilaj.