Franca, Gjermania dhe Britania dënojnë Iranin për programin bërthamor

Franca, Gjermania dhe Britania dënojnë Iranin për ndërmarrjen e hapave për zgjerimin e mëtejmë të programit të saj bërthamor.

“Këto masa do t’i rrisin përsëri rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, niveli i të cilit i ka tejkaluar tashmë limimet e vendosura me marrëveshjen e vitit 2015”, thanë tre vendet aleate në një komunikatë të përbashkët.

Një javë më parë, ato paraqitën një rezolutë në një takim të bordit të guvernatorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike -s, duke e kritikuar Teheranin për mungesë bashkëpunimi.

Irani teksa e quan rezolutën “të nxitur dhe të pamatur”, mohon pretendimet se synon të zhvillojë armë bërthamore

Sipas IAEA, Irani është i vetmi shtet që nuk zotëron armë bërthamore por pasurohet me uranium në një nivel të lartë prej 50 për qind dhe vazhdon të grumbullojë rezerva të mëdha të uraniumit.

IAEA ka thënë se Teherani e ka përshpejtuar programin e vet bërthamor dhe tani ka material të mjaftueshëm për t’i ndërtuar disa bomba atomike.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 hoqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, por më 2018 presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, u largua nga marrëveshja dhe që atëherë Uashingtoni ka rivendosur sanksionet ndaj Iranit që kanë ngufatur ekonominë e Republikës Islamike.

Përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes kanë dështuar dhe Teherani ka shkelur kushtet e marrëveshjes duke prodhuar uranium me nivel të lartë të pasurimit.

Në mars, Bloomberg News citoi një zyrtar të lartë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes i cili tha se Irani është më pak se 12 ditë larg që të posedojë materialet e nevojshme për prodhimin e një bombe bërthamore.