Ukraina pret bisedimet e paqes në Zvicër, mbi 100 udhëheqës në konferencën dyditore
Konferenca ndërkombëtare ka nisur sot në Zvicër në kuadër të një procesi paqeje në luftën në Ukrainë.
Në konferencë pritet të marrin pjesë udhëheqës kombëtarë dhe përfaqësues të tjerë të rangut të lartë nga 92 vende si dhe nga organizata ndërkombëtare. Rusia nuk ishte e ftuar.
Udhëheqësit do të diskutojnë çështje që variojnë nga eksportet e grurit nga Ukraina, siguria e centralit bërthamor në Zaporizhia të pushtuar nga Rusia dhe çështjet humanitare duke përfshirë shkëmbimin e të burgosurve.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati më i rëndësishëm i Kievit, do të përfaqësohen nga zëvendëspresidentja Kamala Harris.
Harris njoftoi pas mbërritjes së saj në Zvicër se SHBA-ja po ofronte një ndihmë të re për Ukrainën me vlerë mbi 1,5 miliardë dollarë, pjesa më e madhe e saj për sektorin e energjisë dhe ndihmën humanitare.
Një numër liderësh nga Evropa do të jenë prezent në konferencë, duke përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.
“Kjo është një bimëz diplomatike që ne po e ujitim në mënyrë që të rritet”, tha sot Scholz në një intervistë për ZDF.
Scholz tha se ai shpresonte se konferenca do të “hapte themelin” për negociatat e mëtejshme në të cilat do të merrte pjesë Rusia.
Takimi po zhvillohet me iniciativën e Ukrainës dhe pjesëmarrjen e presidentit Volodymyr Zelensky, i cili vjen pas takimit të Grupit të Shtatë (G7) në Italinë jugore, i fokusuar kryesisht në luftën ruse.
Rusia aktualisht pushton rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, duke përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi ilegalisht në vitin 2014.
Presidenti rus, Vladimir Putin kërkoi dje që Ukraina të heqë dorë plotësisht nga territoret e Donetskut, Luhanskut, Khersonit, Zaporizhias dhe gadishullin e Detit të Zi të Krimesë, si kusht për t’i dhënë fund luftimeve. Kievi e hodhi poshtë idenë duke e konsideruar si absurde.
Konferenca – e cila do të zhvillohet sot dhe nesër synon kryesisht të mobilizojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën – duke përfshirë vendet që janë miqësore me Rusinë.
Por Kina, e cila është aleatja më e rëndësishme e Putinit, nuk po merr pjesë. Miq të tjerë me ndikim të Rusisë si India dhe Afrika e Jugut do të jenë atje, por nuk përfaqësohen as në nivel ministror. Brazili po merr pjesë vetëm si “vëzhgues”.
Ka edhe mungesa të tjera të profilit të lartë.
Zelensky udhëtoi në Arabinë Saudite këtë javë, duke nxitur spekulime se Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, i cili ka një marrëdhënie të mirë me Putinin, mund të marrë pjesë në konferencë.
Sidoqoftë, lista e të ftuarve të publikuar nga mikpritësit zviceranë dje në mbrëmje përfshin vetëm ministrin e Jashtëm, Faisal bin Farhan Al Saud.
Rreth gjysma e atyre që marrin pjesë në takimin në Burgenstock, janë nga Evropa dhe gjysma tjetër nga pjesa tjetër e botës.
Gjithashtu, shpresohet se një konferencë e mëtejshme do të vendoset këtë vit – dhe se kjo do të përfshijë Moskën, e cila nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.


