PAMJET/ Policia Kufitare shpëton një turiste britanike, mjeti i saj u dëmtua gjatë lundrimit
Policia Kufitare në Dhërmi i erdhi në ndihmë një turisteje britanike, të cilës iu rrezikua jeta pasi mjeti i saj lundrues tip kanoe u dëmtua gjatë lundrimit.
Në një njoftim për shtyp policia bën të ditur se, gjatë patrullimit të zonës së plazhit nga Policia Kufitare, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt për pushuesit, është marrë njoftim nga salla operative e DVKM Vlorë për një turiste e cila ndodhej në det, në vendin e quajtur ”Shpella e Pëllumbave”, Gjipe, me mjetin lundrues tip kanoe, i cili ishte dëmtuar dhe i rrezikohej jeta pasi e kishte të pamundur të kthehej në breg.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Njësisë Policore Detare për t’i ardhur në ndihmë turistes nga Britania, e cila u nxor në breg në gjendje të mirë shëndetësore.
Turistja ka falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurt dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Digjital çdo rast të paligjshmërisë.

