Apeli i GJKKO-së sërish pa vendim për Belerin, e shtyn për në datën 25 qershor
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shtyrë për në datën 25 qershor vendimin për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
SEANCA E SOTME

Ka nisur me debate seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ku kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri dhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin, kanë ankimuar dënimin e marrë nga GJKKO për krime zgjedhore.
Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtarët Daniela Shirka, Ilirjana Olldashi dhe Dhimitër Lara.
Në seancën që po zhvillohet sot në Apel për krybashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, avokatja e këtij të fundit Klodiana Gjyzari, deklaroi se nuk ka gjurmë të pajisjes së përgjimit.
“Duam që gjykata të parashtrojë faktin si janë provat. Beleri që në momentin e arrestimit, ka thënë se është një proces i manipuluar. Shkresa e komisariatit pa burim prove, nuk mund të merret si provë nga ana e prokurorisë. Ne ende nuk e dimë ku janë këto regjistrime, nuk na janë vënë në dispozicion.
Qëllimi i prokurorisë është të lë një gjysme indicie. Gjykata vijon ti referohet shkresës së komisariatit të policisë e cila është e diskutueshme. Gjykata arsyeton që në 10 maj, në orën 20.20 Beleri ka kryer një bisede me Arsen Ramën.
Dhe arsyeton që janë takuar me njëri- tjetrin. Nga të dhënat rezulton se Beleri nuk e ka takuar kurrë Arsen Ramën. Nga përmbajtja e procesverbaleve, nuk është përcaktuar asnjë takim mes Belerit dhe Arsen Ramës.
Nga ka asnjë fotografi në dosje që këta dy shtetas janë takuar bashkë. Nuk ka asnjë takim të pandehurit me Arsen Ramën dhe nga forcat operacionale thuhet se Beleri është takuar me dy persona. Ata dy persona që u takuan, i thanë OPGJ që nuk kanë lidhje me çështjen”, tha ajo.
Pas kësaj, është ndërprerë seanca për pak minuta.
Më herët avokatja e Fredi Belerit, Klodiana Gjyzari ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka, me pretendimin se nuk është caktuar me short, por manualisht.
Gjitashtu, avokatja pretendon dhe se Daniela Shirka është e njëanshme, duke kërkuar përjashtimin e saj nga çështja e Belerit. Të njëjtin qëndrim si avokatja e Belerit, e ka mbajtur edhe avokati i Pandeli Kokoveshit, i cili po ashtu kërkoi përjashtimin.
Ndërkohë, gjyqtarja Daniela Shirka ka mohuar pretendimet e avokates duke thënë se caktimi i trupës gjykuese është bërë me short elektronik.
Pjesë nga debatet:
Gjyzari-Shirkës: Ju nuk jeni caktuar me short, por jeni caktuar manualisht. Nuk jeni caktuar me short për gjykimin e kësaj çështje.
Gjyzari-Shirkës: Në asnjë rast nuk jeni caktuar me short, në 3 raste të gjykuara për Belerin. Nuk plotësoni kushtet për të qenë gjyqtare e caktuar me ligj për këtë çështje.
Shirka-Gjyzarit: Ju relatuat shkaqet që nuk jeni dakord me këtë trup gjykues.
Gjyzari-Shirkës: Është e pavërtetë që ju jeni caktuar me short.
Gjyzari: Çështja e themelit nuk gjykohet nga gjyqtarët që gjykojnë çështje të veçanta.
Gjyzari: Ju jeni e njeanshme dhe ne do paraqesim kërkesë për përjashtimin tuaj.
Gjyzari: Gjykata caktohet me short.
Shirka: Ju keni të drejtën tuaj të parashtroni të gjitha kërkesat për përjashtimin e trupit gjykues. Në vazhdim, ju kërkoni të paraqisni kërkesën tuaj me shkrim.
Gjyzari: Po, do e paraqesim me shkrim.
Shirka: Vetë i pandehuri është dakord?
Avokati i Kokaveshit: Mbajmë të njëjtin qëndrim, kërkojmë dhe ne përjashtimin tuaj.
Adnan Xholi, prokuror i SPAK: Kjo lloj kërkese nuk e pezullon vazhdimin e procesit gjyqësor. Të vazhdojë seanca.
Daniela Shirka: Gjykata vlerëson se nuk ndodhet në kushtet për të ndërprerë seancën gjyqësore. Gjykata relaton në vijim, deklaron të hapur diskutimin.
Gjyzari: Mua nuk më lejohet ta paraqrs më vonë, përndryshe pranoj pasojat e aktit.
E pranishme në sallën e seancës gjyqësore është edhe ambasadorja greke në Tiranë si dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Veç si kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është zgjedhur edhe deputet i Parlamentitn Europian nga partia “Demokracia e Re” e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ai arriti të merrte 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen.
Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje, është dënuar me dy vite burgim nga GJKKO, ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg që i janë konvertua me 3 vite shërbim prove, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Gjatë çdo seance, Fredi Beleri e ka konsideruar arrestimin dhe dënimin e tij si politik, teksa ka akuzuar Prokurorinë se ka sajuar faktet dhe provat kundër tij.
Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, pasi më herët një banor i Himarës, Arsen Rama i ishte ofruar Policisë të rregjistronte bisedat dhe veprimet me të, për blerje të votave në favor të tij. Sipas Prokurorisë, Ramës i janë dhënë shuma monetare prej 5 mijë lekësh për 8 persona, emrat e të cilëve ishin në një listë që ai ia kishte dorëzuar Belerit. Vetë Rama do të përfitonte një shpërblim prej 300 eurosh. Paratë për personat që do duhej të votonin në emër të zotit Beleri janë dhënë nga bashkëpunëtori i këtij të fundit, Pandeli Kokaveshi.
Burgosja e Belerit u parapri nga sulme të forta nga kryeministri Rama në fushatë, ku ai paralajmëroi se do të merrej personalisht me kandidatin e PBDNJ-së në Himarë. Për të çuar para porosinë e Ramës u angazhuan forcat operacionale të policisë, prokuroria dhe gjykata e Vlorës dhe më vonë SPAK dhe GJKKO që e mbajtën në burg kandidatin e opozitës, edhe pse i infiltruari pranoi se ishte paguar nga policia për të përgjuar Belerin.
Arrestimi i Fredi Belerit shkaktoi tensione të ashpra mes Athinës dhe Tiranës, ku Greqia e ka konsideruar si një arrestim politik, po ashtu edhe si opozita në vendin tonë. Fredi Beleri u bë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.

