Dhoma e Përfaqësuesve, rezolutë ndaj Garland, Kryeprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së akuzohet për shpërfillje të Kongresit
Me 216 vota pro dhe 207 kundër, dhoma e përfaqësuesve në kongresin amerikan ka votuar një rezolutë sipas së cilës kryeprokurori i përgjithshëm Merrik Garland ka shpërfillur kongresin.
Arsye, Garland nuk ka pranuar të dorëzojë regjistrime zanore të intervistës të deponimit që presidenti Xho Bajden i ka dhënë departamentit të drejtësisë në lidhje me çështjen për mënyrën se si ai ka administruar dokumente të klasifikuara.
Garland, që aktualisht është zyrtari më I lartë I zbatimit të ligjit në SHBA bëhet kështu i treti Kryeprokuror i Përgjithshëm në historinë amerikane që mbahet përgjegjës për shpërfillje të kongresit
Në rezolutë, e cila mori votat e të gjithë republikanëve, përveç njërit që u bashkua me qëndrimin e demokratëve, i rekomandon departamentit të drejtësisë të marrë një vendim për ta proceduar ose jo penalisht Garland. Nën ligjin federal, shpërfillja e kongresit dënohet me deri 1 vit burg dhe një gjobë prej 100 mijë dollarësh.
Vetë Garland, për miratimin e rezolutës ndaj tij tha se po kthente një autoritet të kongresit në armë partiake. Votimi nuk merr parasysh ndarjen kushtuese të pushteteve, nevojën e departamentit të drejtësisë për të mbrojtur hetimet e tij, si dhe sasinë e madhe të informacioneve që ndërkohë iu kemi dhënë komiteteve parlamentare, u shpreh kryeprokurori I përgjithshëm në një deklaratë.
