Kujtime të ngrohta të “Luftës së Ftohtë”/ Luftanijet ruse mbërrijnë në Kubë mes përplasjes me SHBA për Ukrainë
Një flotë luftanijesh dhe një nëndetëse me energji bërthamore ruse mbërritën në Kubë, ndërsa aleatët e luftës së Ftohtë forcojnë aleancat. Edhe pse nuk vlerësohet si rrezik për SHBA, vizita cilësohet një force mes tensioneve në rritje mes Moskës dhe perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.
Një grup anijesh të marinës ruse, duke përfshirë një nëndetëse me energji bërthamore, mbërritën në Kubë, si shenjë e një miqësie që zgjon kujtime nga Lufta e Ftohtë!
Fregata që kryesonte kolonën qëlloi 21 herë me armë si përshëndetje pasi hyri në portin e Havanës, të cilës kubanezët iu përgjigjën me zjarr topash nga një fortesë koloniale e shekullit të 18-të e ndërtuar nga spanjollët për të ruajtur portin.
Qytetarë dhe peshkatarët u rreshtuan buzë detit për tu shndërruar në spektatorë të një shfaqje force mes tensioneve në rritje mes Moskës dhe perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.
Anijet do qëndrojnë për pesë-ditë në ishullin e Karaibeve –vetëm 90 milje nga Florida.
Ministria ruse e mbrojtjes thotë se fregata Admiral Gorshkov dhe nëndetësja Kazan janë të dyja bartëse të armëve të avancuara, duke përfshirë raketat hipersonike “Zircon”.
Zyrtarët amerikanë i thanë CNN se ushtria amerikane kishte vendosur anije dhe aeroplanë për të monitoruar stërvitjet ushtarake të Rusisë në Atlantik dhe Karaibe, dhe ka gjurmuar anijet ruse ndërsa ato kalonin tranzit në Atlantik në ditët e fundit gjatë rrugës për në Kubë.
Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit theksuan se aktiviteti rus është rutinë dhe nuk përbën kërcënim për SHBA-në dhe kanë vënë në dukje se Kuba ka pritur anijet ruse çdo vit midis 2013 dhe 2020.
Edhe ministria e jashtme e Kubës tha se asnjë nga anijet nuk ka armë bërthamore në bord dhe vizita e tyre pesë-ditore nuk përbën kërcënim për rajonin.
Vizita është një simbol i rëndësishëm i mbështetjes për qeverinë e drejtuar nga komuniste në Kubë dhe aleatin e saj socialist, Venezuelën, që pritet të jetë ndalesa e radhës
Në tetor të vitit 1962, vendosja e armëve Atomike ruse në Kubë krijoi një përplasje mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik që e çoi botën në prag të luftës bërthamore.


