Çela: Aplikacioni TEA, guidë digjitale që prezanton Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela theksoi sot se aplikacioni TEA u krijua për të qenë porta digjitale e eventeve turistike të kulturës spoteve dhe traditës.

Në fjalën e saj në prezantimin e Kalendarit Turistik përmes aplikacionit TEA 2.0., ku është i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Çela tha se “TEA lindi si ide e kryeministrit të vendit për të pasur edhe Shqipëria një kalendar kombëtar eventesh turistike. Vizioni ishte mjaft i qartë: Të promovojmë Shqipërinë turistike si një destinacion unik në Ballkan duke prezantuar jo vetëm peizazhin e magjishëm, por edhe trashëgiminë e pasur kulturore”.

“Që në muajt e parë, në 5 muajt e parë në pikun veror ne kishim 40 mijë shkarkime nga përdorues nga 72 vende të botës. TEA 2 që prezantojmë sot është një revolucion në mënyrën si promovojmë ne sot Shqipërinë turistike”, theksoi Çela.

Drejtoresha e AKT-së u shpreh se “tashmë aplikacioni është rritur është shndërruar në një guidë digjitale që iu ofron vizitorëve jo vetëm evente, por edhe destinacione të trashëgimisë kulturore, shërbime turistike, shërbime utilitare, informuese duke prezantuar tashmë Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj”.

“Në TEA janë 2250 evente prej të cilave 1600 janë në periudhën shkurt-dhjetor 2024 dhe në pikun veror, që quajmë muajt qershor-gusht, janë 550 evente të kategorive të ndryshme”, tha Çela.