Hasani me qytetarë shqiptarë në Suedi: Së shpejti, lehtësi konsullore online

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani po zhvillon një vizitë zyrtare në Suedi.

Vizitën në Suedi, Hasani e nisi me takimin me qytetarët shqiptarë, të cilët marrin shërbimet pranë zyrës tonë konsullore në Stokholm.

Hasani shprehu vlerësim e mirënjohje për përkushtimin e çdo punonjësi në 44 misionet diplomatike dhe postet konsullore në mbarë botën.

“Vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti janë ofruar 71,428 shërbime, ndërsa po punohet që së afërmi, në bashkëpunim me AKSHI, të përfundojë ofrimi i 13 shërbimeve konsullore online, me dokumentin përfundimtar, të pajisur me një kod QR, që së shpejti do të jetë i disponueshëm në llogarinë e qytetarit në e-albania në seksionin “Dokumentet e Mia””, theksoi Hasani në një postim

Gjithashtu Hasani u shpreh se po punohet që të përfundojë zbatimi i pagesës online për shërbimet konsullore si dhe reduktimi i kohës së ofrimit të shërbimit online në 1 – 5 ditë pune.