Drejtësi e munguar me "regji"? Dritan Dajti kërkon për të katërtën herë përjashtimin e Sandër Simonit nga gjykimi
Dritan Dajti, njeriu që prej disa vitesh po qëndron i izoluar në burgun e Peqinit, tashmë ka nisur betejën e fundit ligjore me Gjykatën e Lartë, ku qëllimi i tij është ti shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm.
Brenda një periudhe 7 ditore, Dritan Dajti, ka lëshuar një breshëri kërkesash të njëpasnjëshme, duke kërkuar nga Gjykata e Lartë, të përjashtojë relatorin e çështjes së tij, Sandër Simoni.
Një betejë ligjore kjo, që ka nisur kokë më kokë mes Dajtit dhe Simonit, ku përmes 4 kërkesave të bërë thuajse përditë në sekretarinë e Gjykatës së Lartë, Dritan Dajti, kërkon largimin e gjyqtarit Simoni nga gjykimi i çështjes së tij.
Në datën 7 qershor 2024, Dritan Dajti ka përsëritur kërkesën për të 4 herë me qëllim largimin e Sandër Simonit nga gjykimi, me argumentin se sipas tij është gjyqtar i njëanshëm dhe ka shfaqur mendim mbi dosjen objekt gjykimi, gjatë periudhës kur ka drejtuar Gjykatën e Krimeve të Rënda.
“…përjashtimin e gjyqtarit Sandër Simoni, nga gjykimi i çështjes penale me nr. 52105-00378-00-2019, në ngarkim të pandehurit Dritan Dajti, pasi gjatë ushtrimit të funksioneve ka shfaqur mendimin e tij mbi faktet dhe rrethanat objekt të këtij procedimi…”-pretendohet në kërkesën e përsëritur nga Dritan Dajti.
Kërkesa e radhës e depozituar nga Dritan Dajti i ka rënë për shqyrtim gjyqtarit Asim Vokshi, i cili deri ditën e hënë duhet të shprehet nëse do pranojë ose jo kërkesën për përjashtimin e Simonit.
Ndërkohë në datën 6 qershor, gjyqtari Enton Dhmitri vendosi të rrëzojë të njëjtën kërkesë që Dajti, kishte depozituar në gjykatën e Lartë në datën 4 qershor.
E njëjta gjë ndodhi dhe në datën 31 Maj 2024, kur gjyqtari Gentjan Medja, vendosi të rrëzojë dy kërkesat e Dritan Dajtit për përjashtimin e gjyqtarit, Sandër Simoni.
Pas përjashtimit të gjyqtar Medi Bicit, aktualisht, rekursi i vitit 2019 i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kundër Dritan Dajtit, është duke u gjykuar në Dhomë Këshillimi me trupë gjykuese Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Artur Kalaja.
Krimet e Rënda, kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësit të policisë Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Ilir Duçkollarit.
“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasit Ledjon Mara dhe plagosjen e shtetasit Fatjon Shamku.
Krimet e Rënda kundërshtuan në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që dënoi Dajtin në 2019 me 25 vite burgim.
Çështja penale kundër Dritan Dajtit është shpallur në 11 prill 2024 për t’u shqyrtuar në dhomë këshillimi në datë 4 qershor 2024, prej Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Por në këtë datë Gjykata e Lartë nuk ka mundur të dalë me vendim, për shkak të zëvendësimit të Medi Bicit me gjyqtarin tjetër Artur Kalaja.
Seanca e radhës kur pritet ti komunikohet palëve trupi gjykues është planifikuar në 11 qershor 2024 në orën 09:00. Ndërkohë nga ana tjetër Dritan Dajti ka vijuar strategjinë e tij, me qëllim përjashtimin nga gjykimi i dosjes të relatorit, Sandër Simoni.
Më herët relatori i çështjes së Dritan Dajtit, gjyqtari Sandër Simoni, në datën 20 shkurt 2024, ka paraqitur para Kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, një kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, pasi ka vlerësuar se është në kushtet e nenit 17, shkronja “c” dhe “ë” të Kodit të Procedurës Penale.
Kërkesa e Simonit, për të mos gjykuar dosjen “Dajti”, në datën 26 shkurt 2024 është refuzuar nga kryegjyqtari Sokol Sadushi. Nisur nga kjo situatë, Dajti ka nisur “ofensivën” me kërkesa ligjore për përjashtimin e Simonit.
