Hasani takon homologen rumune: Promovim i stabilitetit rajonal dhe integrimit në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Rumani zhvilloi një takim me ministren e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Luminita Odobescu, në Bukuresht.

Ky takim vjen teksa të dy vendet po festojnë 30-vjetorin e Traktatit të Mirëkuptimit, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë. Hasani dhe Odobescu patën diskutime të frytshme për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe sektorial.

Gjithashtu në takim u bisedua për promovimin e stabilitetit rajonal dhe integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë vizitës së tij, ministri Hasani zhvilloi disa takime dypalëshe me zyrtarët më të lartë të vendit, si Presidentin Klaus Iohannis, zv.kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, Catalin Predoiu.

Gjithashtu Hasani do të takohet edhe me ministrin e Punës dhe Mbrojtjes Sociale, Simona Brucura Oprescu dhe me kryetarin e Komitetit për Politikë të Jashtme të Senatit, Titus Corlatean.

Kjo vizitë, që pason vizitën e ministres Odobescu në Tiranë nëntorin e kaluar gjatë së cilës u nënshkrua dhe Plani i Veprimit 2024-2025, është shprehje e vullnetit të përbashkët për të intensifikuar më tej dialogun politik.