Mijëra njerëz të evakuuar! Zjarr masiv në Kaliforni mes temperaturave ekstreme

Mijëra banorë janë larguar nga qarku San Joaquin në Kaliforni, pasi zjarri masiv që ka përfshirë vendin që nga e shtuna vijon të përhapet me shpejtësi. Rreth 14 mijë hektarë janë djegur deri këtë të hënë

Filloi si një zjarr i vogël që përfshiu barishtet në qarkun e San Joaquin në Kaliforni, por erdhi duke u zmadhuar dhe marrë përmasa tragjike që nga e shtuna pasdite.

Mijëra banorë janë detyruar të evakuohen, pasi rreth 14 mijë hektarë janë djegur ndërsa deri të dielën pasdite vetëm 30% e flakëve ishin vënë nën kontroll.

Disa nga zjarrfikësit kanë mbetur të plagosur gjatë përpjekjeve.

Por rreziku vijon të jetë i madh pasi mund të përhapen edhe më shpejt në zona të tjera, me erërat që vijojnë edhe të hënën sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.

Zyrtarët kishin paralajmëruar kohët e fundit temperaturat e nxehta dhe bari i thatë janë problem që nxisin situatat e zjarreve, dhe Departamenti i Pyjeve në Kaliforni kishte urdhëruar pezullimin e djegieve të mbeturinave jashtë banesave.

Megjithatë mbi 1 mijë e 200 vatra masive në të gjithë shtetin janë raportuar deri tani këtë vit.