Tabaku: Nuk ka ende strategji për të dalë nga kurthi i korrupsionit
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku, tha sot gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian se është një lajm i mirë që në janar 2025 do të prezantohet një strategji kundër blerjes së votës.
Tabaku tha se Shqipëria ende nuk ka një strategji për të luftuar korrupsionin.
“Një vit më parë beteja e opozitës nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian ka qenë vendosja përpara përgjegjësisë e qeverisë që mohonte korrupsionin dhe endemizmin e tij në gjithë strukurën e shtetit shqiptar. Kritika e opozitës ishte e njëjtë me atë të progresraportit 2023; Shqipërisë i mungonte dhe i mungon një strategji se si të dalë nga kurthi i korrupsionit. Shqiptarët jetojnë sot në vendin më të korruptuar pasi qeveria nuk ka ende një strategji”, tha Tabaku.
“Pak javë më parë në Komisionin e Ligjeve raportoi kryetari i SPAK. Shqetësimi mbi luftën kundër blerjes së votës është ngritur prej meje një vit e gjysmë më parë duke kërkuar realisht prej SPAK një strategji për luftën kundër blerjes së votës që bëhet edhe nga paratë e korrupsionit. Ndihem mirë teksa dëgjoj se do ketë një strategji të tillë që do të na prezantohet në janar 2025 dhe shpreh gatishmërinë time si kryetare e KKIE në këtë pikë për të ndihmuar më tej strategjinë”, u shpreh Tabaku.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian merr pjesë edhe ministrja e Shtetit për Administratën dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
