Akuzohen se denigronin Policinë përmes portalit/ Lirohet gazetari dhe ish-punonjësja e AMP-së

Gjykata e Tiranës vendosi të lirojë nga qelia dhe të vendosë masën “detyrim paraqitje” për gazetarin Ervis Hasanaga dhe ish-punonjësen e AMP, Regina Omeri.

Në kërkim dhe në masën arrest me burg në mungesë është vendosur për shefin e zyrës së agjencisë së mbikëqyrjes policore Kushtrim Selimi.

Ata u arrestuan më 30 maj nën akuzën se publikonin lajme të pavërteta dhe denigruese për drejtues të policisë së shtetit.

Sipas dëshmive të dhëna në polici, ishte pikërisht Selimi i cili realizonte tekstet e lajmeve, më pas ia dërgonte Omerit e cila ishte punonjëse e AMP në Durrës.

Kjo e fundit më pas ia transmetonte gazetarit që i paraqiste në portal. Ky i fundit mësohet se ka pranuar se ka marrë pagesë, por se lajmet i merrte të gatshme.

Fillimisht ka qenë një tjetër  zyrtar që ka bërë denoncim për lajmin e transmetuar kundër tij dhe që më pas është fshirë.

Pas arrestimit edhe krerët e lartë të uniformave blu bënë kallëzimin e tyre.

Megjithatë hetimet tashmë do të vijojnë me masë lehtësuese, ndërsa do të verifikohet edhe qëllimi se përse realizoheshin sulmet mediatike.