Rritja e nivelit të ujit bllokon fshatin Përbreg, banorët: Janë përmbytur të mbjellat

Liqeni i Kukësit është kthyer në shqetësim për banorët e zonave që jetojnë në brigjet e tij. Fshati Përbreg thuajse është zhytur i tëri në ujë, ndërsa banorët e këtij fshati thonë edhe ujësjellësi ka dalë jashtë funksionit për shkak të rritje së nivelit të liqenit. Të mbjellat janë shkatërruar, por edhe rrugët e fshatit përbreg janë bllokuar nga niveli i lartë i ujit të liqenit.

Rritja e nivelit të ujit në liqenin e Kukësit mbi kuotën maksimale prej 296 m, që përdoret për furnizimin e hidrocentralit të Fierzës ka shkaktuar probleme të shumta për banorët e fshatrave që banojnë në bregun e tij.

Ujërat e liqenit kanë përpirë tokat bujqësore, rrugët, pemët frutore, prodhimet e kopshteve e deri tek përmbytja e ujësjellësit të fshatrat Breglum e Përbreg.

Rasim Kovaçi, ish-banor i fshatit Breglum, thotë se e ka braktisur fshatin për shkak të përmbytjes, por ai vijon të vij në shtëpinë ku lindi duke shpjeguar të gjitha problematikat që has për të ardhur tek banesa e tij e vjetër.

Në vitin 1978 u krijua liqeni artificial i Kukësit duke shkaktuar përmbytjen e qytetit të Kukësit e 24 fshatrave të tij e për pasojë zuri 5800 hektar ku 2700 hektar ishin tokë bujqësore. Banorët e tokave të përmbytura vazhdimisht kanë kërkuar shpronësimet dhe dëmshpërblimet, kërkesat e tyre nuk kanë marrë zgjidhje./Syritv