Ngritja e Komisionit të Posaçëm Anti-korrupsion, Shehi: Opozita të mos shkojë, ka si qëllim presionin ndaj drejtësisë
Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi e ka konsideruar ngritjen e Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion me qëllimin e vetëm që qeveria t’i bëjë presion drejtësisë.
Në një konferencë për mediat, Shehi tha se qëllimi kryesor i këtij komisioni është vetëm që të preket drejtësia dhe që të “shpërblehen socialistët me peshqeshe para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 2025”.
Ai ka kritikuar edhe qëndrimin e opozitës, ku tha se bojkotojnë Kuvendin, por në fund shkojnë në komisione nga dera e pasme.
“Të shkosh në parlament të mos marrësh pjesë dhe të shkosh në komisione nga pas nuk ka kuptim dhe nuk duket serioze. Të mos shkojnë në atë komision që ka për qëllim kryesor me i bërë presion drejtësisë dhe qëllimin e tyre për të arnuar sherret brenda PS, me u nda nga një peshqesh të vogël këtyre shefave socialistë”, tha Shehi.
Kuvendi miratoi më 30 maj me 74 vota ngritjen e Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion, që ka si synim koordinimin e një procesi të thelluar reformimi, thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimi i mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian.
Komisioni u ngrit vetëm më votat e mazhorancës, ndërsa vetëm 6 deputetë të opozitës votuan kundër, të tjerët nuk morën pjesë në votim.
Komisioni i Posaçëm Anti-Korrupsion përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare.
