Me VIDEO/ PAMJET E FRIKSHME - Protestuesit ngatërrojnë shënjestër, molotovët bien në këmbët e gazetarëve dhe operatorëve
Momente të frikshme janë regjistruar këtë të martë në protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës.
Teksa në shenjë revolte për vjedhjet e realizuara nga drejtorët e këtij institucioni, protestuesit e mbledhur në tubim nisën të hedhin shashka dhe shishe molotovi tek godina e bashkisë.
Por ky sulm rrezikoi të shkaktonte tragjedi, pasi një prej molotovëve të hedhur nuk e kaloi dot gardhin e policëve, por ra para këmbëve të gazetarëve dhe kameramanëve të rreshtuar si gjithnjë në mes policisë dhe protestuesve.
Për më shumë shihni momentin e frikshëm të regjistruar në protestën e sotme.
Lidhur me ngjarjen një reagim i fortë ka ardhur dhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë.
"Disa punonjës të medias gazetarë dhe operatorë u rrezikuan seriozisht ditën e sotme në Tiranë, teksa po mbulonin një protestë përpara godinës së bashkisë. Protestuesit hodhën koktejle molotovi të cilat përfunduan aty ku ishin duke punuar punonjësit e medias, të cilët ishin qartazi të identifikuar si të tillë.
AGSH dënon ashpër aktin, dhe ju bën thirrje drejtuesve të protestës që të mbajnë nën kontroll mbështetësit e tyre. Ne i ftojmë autoritetet që të vënë përpara përgjegjësisë ligjore personat që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të medias", thuhet në reagimin e AGSH-së.


