Izraeli refuzon urdhrin e ICJ-së për të ndalur sulmin ndaj Rafah
Izraeli e hodhi poshtë vendimin e sotëm të ICJ-së për ndalimin e ofensivës në Rafah.
”Akuzat për gjenocid të ngritura nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë janë të rreme, të egra dhe moralisht të neveritshme”, tha kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në një deklaratë të përbashkët.
”Pas sulmit të tmerrshëm kundër qytetarëve të Izraelit më 7 tetor 2023, Izraeli filloi një luftë mbrojtëse dhe të drejtë për të eliminuar Hamasin dhe për të siguruar lirimin e pengjeve tanë”, vazhdon deklarata.
“Izraeli po vepron bazuar në të drejtën e tij për të mbrojtur territorin dhe qytetarët e tij, në përputhje me vlerat e tij morale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare. Izraeli nuk ka dhe nuk do të kryejë veprime ushtarake në zonën e Rafahut, të cilat mund t’i shkaktojnë popullatës civile palestineze në Gaza kushte jetese që mund të sjellin shkatërrimin e saj fizik tërësisht ose pjesërisht”, shton ajo.
Kryeministri Benjamin Netanyahu po diskutonte vendimin me ministrat kryesorë të kabinetit, sipas raporteve të mediave izraelite.
Afrika e Jugut ka kërkuar më parë masa kundër Izraelit disa herë në procedura të shkurtuara.
Kjo është pjesë e padisë për gjenocid që vendi paraqiti në gjykatë në dhjetor.
Në dy vendime emergjente, gjykatësit e OKB-së kishin detyruar Izraelin të bënte gjithçka që ishte e mundur për të parandaluar gjenocidin dhe për të lejuar ndihmën humanitare.
Lëvizja islamike palestineze Hamas e mirëpriti vendimin.
Në një deklaratë të publikuar sot, Hamasi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Kombeve të Bashkuara të ushtrojnë presion mbi Izraelin.
Një anëtar i Byrosë Politike të Hamasit theksoi se pa presion ndërkombëtar, vendimi i gjykatës nuk do të kishte efekt.
Egjipti dhe Jordania mirëpritën gjithashtu vendimin e GJND-së dhe i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ushtrojë presion mbi Izraelin për t’i dhënë fund operacionit të tij.
Autoriteti Palestinez bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Izraelit pas vendimit të GJND-së.
”Komuniteti ndërkombëtar duhet të detyrojë Izraelin të zbatojë vendimin”, tha ai në një deklaratë të botuar sot në Ramallah. Autoriteti beson se vendimi i gjykatës konfirmon pikëpamjen se Izraeli po kryen krime lufte.


