Protesta e dhunshme për klimën në Francë/ Rreth 170 aktivistë të arrestuar

Rreth 170 aktivistë të klimës u arrestuan të premten në kryeqytetin e Francës, pas një proteste të dhunshme që zhvilluan kundër firmës së energjisë dhe naftës ‘Total Energies’

Dhjetëra prej tyre hynë me forcë në selinë e kompanisë së investimeve ku po mbahej mbledhja vjetore e drejtuesve të saj.

Pamjet tregojnë momentet kur protestuesit thyen xhamat e hyrjes kryesore dhe arritën të depërtonin brenda ndërtesës ndërsa rojet private u përpoqën t’i zmbrapsin me ujë.

Shumica e tyre me maska në fytyrë dhe pankarta në duar me thënie kundër aktivitetit me lëndë djegëse.

Sipas informacioneve kanë mbetur të lënduar 8 prej personelit të sigurisë.

Aktivistët thonë se ‘TotalEnergies’ po kontribuon në ngrohjen globale dhe shkatërrimin e biodiversitetit nëpërmjet aktiviteteve të naftës dhe gazit. Protestuesit francezë kritikojnë gjithashtu strategjinë e ndryshimit të klimës nga kompanitë kryesore në vend.

Kjo nuk është hera e parë që ata shprehin kundërshti për sa i përket aktiviteteve që dëmtojnë mjedisin dhe klimën, shpesh edhe në mënyra të dhunshme.