Ecuria fiskale në 4 muajt e parë të vitit, Teliti: Taksat dhe çmimet, të larta, nuk u kursye dora te shpenzimet operative
Këshilltari për Çështjet Ekonomike në PD, Dorjan Teliti, përmes një postimi në rrjetet sociale ka zbërthyer me shifra ecurinë fiskale të 4 muajve të parë të vitit në vend.
Teliti ngriti shqetësimin e taksave e çmimeve të larta, rritjen e shpenzimeve operative dhe braktisjen e shtresave të margjinalizuara dhe investimeve publike.
"Qeveri që merr shumë por jep pak. Shikoni shifrat kokëforta të 4-mujorit 2024.
Fakt 1: sipas të dhënave 4-mujore, qeveria e rëndoi ndjeshëm dorën, duke arkëtuar 240 milionë euro më shumë të ardhura sesa 4-mujori 2023, ku taksat e rritura dhe cmimet e larta ishin kontributorët kryesorë të këtij rezultati.
Fakt 2: gjatë 4-mujorit 2024, ish pronarët përfituan 1.8 milionë euro më pak kompensim, dhe po ashtu edhe ish të përndjekurit politikë me 1.7 milionë euro më pak.
Fakti 3: gjatë këtij 4-mujori nuk u kursye dora te pagesat e shpenzimeve operative, plot 5.4 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndërkohë që “këtë fat” nuk e kanë projektet e investimeve publike, të cilat janë financuar pothuajse 8 milionë euro me pak sesa 4-mujori “zgjedhor” i 2023.
Ska asnjë dyshim, taksat e larta dhe shpenzimet operative mbeten prioriteti qeveritar, ndërkohë që ekonomia, shtresat e përvuajtura dhe investimet publike lihen në harresën e dorës së dytë."
