Argita Malltezi akuzon SPAK-un: Ka bërë mashtrim topografik. Procesi ndaj Sali Berishës, politik
Argita Malltezi, e bija e ish kryeministrit Sali Berisha, dhe bashkëshortja e Jamarbër Malltezit në një konferencë për gazetarët ka deklaruar se procesi për privatizimin e ish-klubit sportiv "Partizani" ndaj tyre është politik.
Ajo ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme se bërë mashtrim topografik në çështje, ndërkohë që ka shtuar se ndërrimi i destinacionit të Kompleksit Partizani u bë nga Edi Rama në vitin 2006.
“Procesi ndaj Sali Berishës është politik. Altin Dumani, Millonai dhe Kraja po bëjnë një proces fiktiv ndaj Berishës. Ka falsifikime nga hetuesit për procesin ndaj Sali Berisha. Ndërrimi i destinacionit të Kompleksit Partizani u bë nga Edi Rama në vitin 2006. SPAK ka bërë mashtrim topografik në çështje”, tha ajo.
Në fjalën e saj, znj. Malltezi ndër të tjera theksoi:
“E gjithë dosja përfshirë edhe veprimet e fundit, tregon se kjo është një dosje e montuar politikisht, se Berisha dhe Malltezi janë të burgosur politikë sipas përkufizimeve të akteve ndërkombëtare dhe sot do të sjellë para jush, akte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Jua kemi vënë edhe më parë në vëmendje faktin që ky nuk është një hetim gjashtëmujor që është zgjatur për një gjashtëmujor të dytë, por një hetim që ka zgjatur tashmë prej katër vitesh , një hetim që është intensifikuar në varësi të urdhrave politikë të Edi Ramës, siç provohet nga dokumentet e dosjes.
Sa herë Edi Rama, në mënyrë publike, në Asamblenë e PS apo në Kongresin e PS ka kërkuar që SPAK të veprojë ndaj Sali Berishës, prokurorët politikë, Kraja-Millonai kanë intensifikuar veprimet e tyre siç demonstrohet nga shkresat në fjalë.
Deri tani është provuar me dokumente të pakontestueshme ndërmjet tyre vendime gjyqësore, se dy janë personat që kanë konsumuar vepra penale: Taulant Balla për kallëzim të rremë dhe Edi Rama për shpërdorim të financave publike dhe dëm në 320 mijë euro ndaj shtetit. SPAK nuk procedon asnjerin prej tyre, madje as nuk ua përmend emrin për shkeljet e kryera!”


