HETIMET NISIN NGA DURRËSI/ Verifikohet koncesioni i sterilizimit, PS – PD me konsensus
Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensusin sa i përket hetimeve në dy koncesionet në shëndetësi. Anëtarët e komisionit zhvilluan inspektim dhe intervista me stafin në spitalin e Durrësit
Anëtarët e komisionit hetimor për dy koncesionet në Shëndetësi zhvilluan inspektimin në spitalin e Durrësit. Fillimisht u ndalën në diskutimin me stafin e mjekëve e më tej monitoruan ambientet e sterilizimit të pasjeve mjekësore.
Për mediet, ndryshe nga debatet në sallën e parlamentit, u shfaqën konsensus, ndërsa shtuan se çdo e dhënë do t’i nënshtrohet diskutimit në komision e do të shërbejë për raportin përfundimtar.
“Vizita e sotme është organizuar në kuadër të planit të vizitave dyjavore të miratuara nga Komisioni Hetimor për dy koncesionet në Shëndetësi Check-Up dhe Sterilizimi.
Vendosëm që të këtë vizitë të parë të përbashkët ta bënim në këtë spital për shkak të rëndësisë të spitalit rajonal Durrës., Patëm një diskutim konstruktiv, informative me drejtuesin e spitalit, me disa shefa shërbimesh, me nëndrejtoreshën për çështje ekonomike si edhe kryeinfermierin e spitalit, duke trajtuar të gjithë procesin.
Ne ngritëm disa pyetje e shqetësime, morëm përgjigje. Të gjithë informacionin që morëm sot, do ti referohet komisionit hetimor. Nëse do të gjykohen do të jenë pjesë e raportit përfundimtar që do t’i dërgohet parlamentit”, u shpreh kryetarja e komisionit Albana Vokshi.
Ndërsa nënkryetari Plarent Ndreca tha se kjo është një vizitë informuese që do të vijojë edhe në institucione të tjera më qëllim plotësimin e kuadrit që ka Komisioni Hetimor me synim mbylljen e tij në 22 korrik.
Nga katër muaj afat që i është lënë komisionit tashmë ka kaluar gjysma e mandatit.
Megjithatë anëtarët janë të bindur se brenda datës 21 korrik do të përfundojnë dokumentin mbi hetimet në koncesionin e sterilizimit të chek upp.

