BLLOKOHET KËSHILLI I INTEGRIMIT/ Pritej të raportonte Pirdeni, PS nuk merr pjesë, Gogu: Është javë e gjelbërt!
Këshilli i Integrimit Evropian dështoi për shkak të mungesës së socialistëve. Kryetarja Jorida Tabaku u shpreh e zhgënjyer nga mazhoranca, ndërsa ironizoi dhe deklaratat e tyre. Ndërkohë i vetmi socialist prezent, nënkryetari Toni Gogu u shpreh se nuk është bojkot i qëllimshëm.
Vetëm një ditë pasi Konferenca e Kryetarëve miratoi draft-rezolutën e PS, për ngritjen e komisionit pozitë opozitë që do të diskutojë reformat për integrimin Shqipëria 2030, mbledhja e Këshillit të Integrimit Evropian dështoi.
Shkak u bë mungesa e përfaqësuesve të shumicës. Mos realizimi i kuorumit bëri që ministrja për administratën publike dhe anti-korrupsionin Adea Pirdeni të mos raportonte.
Kryetarja Jorida Tabaku e cilësoi situatën zhgënjyese.
“Thonë duam të luftojnë korrupsionin dhe bojkotojnë mbledhjet”, ironizoi Tabaku.
Sipas Tabakut, ndarjet politike nuk duhet të pengojnë qëllimin e njëjtë që ka parlamenti.
“Mund të debatojmë, por për integrimin duhet të jemi të bashkuar”, tha ajo.
Ishte nënkryetari Toni Gogu, i vetmi socialist prezent, që justifikoi mungesën e mazhorancës, me argumentin se është javë e gjelbërt.
Për shkak të mungesës së kuorumit mbledhja zgjati vetëm 10 minuta, ndërsa raportimi i ministres Pirdeni u shty për një ditë tjetër.

