PAMJET/ Ish-kreu i ARRSH-së, paraqitet në SPAK, Dashamir Xhika: Ja pse u thirra!

Këtë të martë ambientet e Prokurorisë së Posaccme është paraqitur për të dëshmuar ish-drejtori i ARRSH-së Dashamir Xhika.

Ndërkaq nuk ka një njoftim zyrtar se për çfarë hetimesh është pyetur Xhika, por vetë ish-kreu i ARRSH-së pasi ka lënë ambientet e SPAK ka deklaruar se ka dëshmuar për një procedurë në kohën kur ai drejtornte ARRSH-në.

Skandali i rrugës Tiranë-Elbasan

Ish-drejtori i ARRSH-së Dashamir Xhikaështë një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Kjo pasi ai së bashku me dy ish-zyrtarë ka qenë më herët i arrestuar për shpërdorim fondesh në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Rruga nisi me një kosto prej 222 milion dollarësh por deri në përfundim i mori shqiptarëve rreth 330 milionë dollarë.

Në shkurt të 2018, Dashamir Xhika, asokohe drejtues i autoritetit rrugor u arrestua për korrupsion. Bashkë me të, përfunduar në qeli edhe dy vartësit e tij, Albens Alite dhe Aksel Qorduka.

Akuza e ngritur ishte se kishin abuzuar me fondet e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan. Auditi i Ministrisë së Infrastrukturës së drejtuar nga Damian Gjiknuri, llogariti se dëmi i shkaktuar ishte 36 milion dollarë.

Pas auditit, Gjiknuri paditi Dashamir Xhikën dhe vartësit e tij duke pretenduar se kostot e rrugës janë rritur për të favorizuar kompaninë Aktor që po ndërtonte rrugën. Nga ky veprim ata do të përfitonin para për vete.

Pas hetimeve, prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk gjetën prova për të vërtetuar korrupsionin. Si pasojë, në tetor të 2018 ata ia kaluan dosjen prokurorisë së Tiranës për të hetuar për shpërdorim detyre.

Dosja e madhe e korrupsionit të rrugës Tiranë-Elbasan u shfry dhe zyrtarët u liruan nga burgu.

Në korrik të vitit 2021, ata u pastruan edhe nga akuza e shpërdorimit të detyrës pasi prokuroria e Tiranës kërkoi pushimin e çështjes.

Dashamir Xhika dhe vartësit e tij jo vetëm nuk kanë kryer korrupsion por gjykatësi Erion Bani argumenton se ata kanë shpëtuar para nga buxheti i shtetit.

Ata kanë miratuar një pagesë për kompaninë AKTOR prej 25 milion eurosh të cilën bordi i mosmarrëveshjeve e bllokoi. Pas kësaj firma greke dërgon në arbitrazhin e Parisit shtetin shqiptar.

Ky bllokim i kushtoi shtetit shqiptar humbjen e gjyqit në arbitrazh ku përveç 754 mijë dollarëve të shpenzimeve gjyqësore, Shqipëria duhet t’i paguajë firmës AKTOR edhe 44 milion dollarë për punimet të cilat i kishte kryer.

Për të gjitha këto veprime, gjykata i kërkoi dy vite më parë SPAK-ut të hetojë me pretendimin se dikush ose nga autoriteti rrugor, ose nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka shpërdoruar detyrën.

Dëmi sipas gjykatës lidhet pikërisht me 754 mijë dollarët e paguara për studio e avokatisë dhe shpenzimeve gjyqësor në Paris.