Tabaku: Shqipërisë i duhet një reformë pensionesh, 48% e pensionistëve marrin një pension të ulët

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku theksoi sot se “duhet të ishin marrë masa që të kryhej një reformë gjithëpërfshirëse pensionesh”.

Në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ku u diskutua marrëveshja e pensioneve mes Italisë dhe Shqipërisë, Tabaku tha se kjo marrëveshje prek më pak sesa 500 mijë shqiptarë.

Duke kërkuar një fokus edhe më të madh tek pensionet në Shqipëri, Tabaku theksoi se “situata me pensionet në vendin tonë është dramatike dhe kjo reflekton në thelb dështimin e një reforme politike mbi pensionet që mazhoranca socialiste ndërmori 9 vite më parë”.

Tabaku u shpreh se “prej kohësh kam ngritur me shqetësim situatën në lidhje me reformën e pensioneve që është implementuar këtu e 8 vite apo 9 vite më parë. Ka disa tregues që janë në përkeqësim dhe dhe nuk e them aspak me kënaqësi sepse të dhënat demografike janë kokëforte dhe numri i tyre që janë pjesë e skemës së pensioneve dhe norma e mbulimit të kontribuesit me përfituesit tregon që kemi të bëjmë me një skemë që ka përkeqësuar situatën ashtu sikundër është tregues me përkeqësim”.

Më tej, Tabaku vuri në dukje se “janë 48% e pensionistëve që marrin një pension të ulët ndërkohë që reforma e pensioneve që u trumbetua nga socialistët një dekadë më parë ka dështuar për të siguruar një jetë dinjitoze për pensionistët në fshat dhe në qytet”.

Tabaku u shpreh se sipas shifrave rezulton që pensionet e qytetarëve të jenë më pak se gjysma e rrogës mesatare në vend.

“Një pjesë e madhe e statistikave tregon që pensioni mesatar është pothuajse në qytet, është thuajse 44% e pagës mesatare, pra një vlerë më e ulët sesa gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Pra, të gjithë këto shifra e bëjnë tejet emergjente nevojën për të kaluar në një reformë pensionesh, në mënyrë që të trajtohen me dinjitet të gjithë pensionistët, qofshin dhe këto në Shqipëri”, tha Tabaku.