A do të rikthehet në sistem Bari Shyti? KPA pritet të vendosë për ish-gjyqtarin e Apelit Administrativ
Kur kanë kaluar më shumë se tre vite nga shkarkimi i tij nga detyra në Gjykatën Administrative të Apelit të Tiranës, ish-gjyqtari Bahri Shyti rikthehet në skenë.
Kësaj radhe për shkak se mësohet se javën e ardhshme Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) pritet të vendosë mbi ankimimin e Shytit të vendimit të 25 marsit 2021 të Komisionit të Pavarur i Kualifikimit, i cili vendosi shkarkimin nga detyra e gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës.
Ndërkaq mbetet e paqartë se pse kjo çështje po rikthehet në këtë moment kur kanë kaluar tre vite nga shkarkimi i z. Shyti? Dhe pse u zvarrit për një periudhë kaq të gjatë procesi nga relatorja Albana Shtylla.
VENDIMI I 25 MARSIT 2021 I KPK-së
Vendimi argumentohet për deklarim kontradiktor për blerjen e apartamenteve,si dhe burimi i të ardhurave i pajustifikueshëm.
Më herët gjyqtari i Apelit Administrativ të Tiranës, Bari Shyti doli përpara komisionit të vettingut për deklarimin e pasurisë, pastërtia e figurës dhe integriteti profesional.
Në raportin e tij Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar disa problematika në lidhje me burimin e të ardhurave për blerjen e dy apartamenteve në Durrës dhe në Tiranë.
Bahri Shyti dhe i vëllai Ismail Shyti kanë blerë përgjysmë një apartament, por më pas ajo ka kaluar 100 përqind në pronësi të gjyqtarit.
Sipas komisionit, ka deklarime kontradiktore nga ana e Bahri Shytit për sa i përket pagesave ndaj të vëllait për këtë apartament.
Një tjetër pikë ku Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ndal është edhe pastërtia e figurës ku ndaj tij janë regjistruar 20 denoncime nga publiku për korrupsion dhe fshehje pasurie, por këto janë ende në proces verifikimi.
Po ashtu është konstatuar se gjyqtari ka marrë pjesë në 3 çështje gjyqësore me konflikt interesi.
Bari Shyti, është gjyqtari që rrëzoi kërkesën e shoqërisë civile, e cila kundërshtonte vendimin e Bashkisë së Tiranës dhe Entit Rregullator të Furnizimit me ujë, për ndryshimin e tarifave mujore të ujit të pijshëm për banorët e Tiranës.
Shyti, hyn në kategorinë e gjyqtarëve të pasur, pasi ka të dhëna të arsyeshme, se qëndron prapa një kompanie kromi që vepron në Bulqizë dhe një hidroçentrali “HEC Shytaj” që ndodhet në Bulqizë.
Kjo kompani kromi mban emrin “ERIM SH.P.K”, dhe sipas dokumenteve zotërohet nga 100 për qind të aksioneve, nga vëllai i gjyqtarit administrativ të Apelit, shtetasi Islam Shyti.
Në fakt emri i gjyqtarit nuk del në asnjë dokument si pronar i kësaj kompanie.
Por në një deklaratë pasurie të vitit 2008, ai ka pranuar se ka lidhje me shitjen e kromit nga kjo kompani.
“Në vitin 2008 gjyqtari Shyti deklaron se ka përfituar 21.000 dollarë nga mbledhja dhe shitja e 60 ton mineral krom në periudhën maj – qershor 2008 në stokun e kompanisë “ERIM”…”-.
Njëherësh Bari Shyti, njihet si gjyqtar që i shërben politikës dhe segmenteve të caktuara të bashkisë së Tiranës dhe më konkretisht kryebashkiakut Erion Veliaj.



