Marrëveshja me KfW, Shalsi: Mbështet shërbimin cilësor në transportin publik

Kuvendi nisi sot diskutimet për marrëveshjen me bankën gjermane KfW për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”.

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi tha se kjo marrëveshje do i ofrojë Tiranës një shërbim shumë cilësor sa i përket transportit urban.

“Vizioni ka qenë që në vitet 2000 dhe fatkeqësisht po bëhet realitet tani vite më vonë. Do të kemi 3 linja të reja të dedikuara që do të sjellin lëvizshmëri më të shpejtë të mjeteve publike që nuk do të ndotin ambientin. Numrat e stacioneve do të jenë jo më shumë se 500 m larg. Do të jetë një sistem i integruar transporti që do të lejojë qytetarët të lëvizin në mënyrë më komode, më shpejt. Transporti publik është një sfidë e jashtëzakonshme. Nëse duam një Tiranë europiane, transporti modern është në nga elementët”, tha Shalsi.

Sipas tij, Tirana rezulton ndër rajonet me numrin më të lartë të vizitorëve për vitin 2023 në të gjithë Europën.

“Tirana ka qenë me fat që për këto vite ka pasur edhe kryeministrin edhe kryetarin e bashkisë në një linjë. Lërini organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, përballuni me argumentat. Po shihja disa nga statistikat, një nga dy rajonet, Tirana me numrin më të lartë të vizitorëve për vitin 2023 në të gjithë Europën. Po si ndodhi kjo, rastësisht? 130 nacionalitete jetojnë sot në Tiranë dhe për ato që nuk e kuptojnë çfarë do të thotë kjo gjë, se mund të thonë një është nga një vend i largët, një është nga një tjetër. Ka një korrelacion midis numrit të nacionalitetit lart dhe faktit se sa tërheqës është qyteti”, tha Shalsi.

Deputeti Shalsi deklaroi më tej se Tirana është duke u shndërruar në një pol tërheqës, jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë.

“Dilni pak, shikoni se çfarë bëhet nëpër rrugë. Shikoni pak statistikat e hotelerive, shikoni pak Airbnb, shikoni pak se çfarë po thuhet për Tiranën, shikon sa krenarë duhet të jemi që kryeqyteti ynë ka vepra sot që flasim që janë nderuar me çmime ndërkombëtare. Deri para pak kohësh u matëm dhe pamë se çfarë vizioni kishit ju për Tiranën, paradokse”, u shpreh Shalsi.

Ai theksoi se qeveria meriton përgëzim për arritjen e një marrëveshjeje të tillë.