“Liria kërcënohet nga politika” – Gazetari: Ju tregoj politikanin më të ashpër me mediat dhe më dashamirësin
Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në Shqipëri, e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.
Lidhur me këtë çështje i ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës”, gazetari Isa Myzyraj theksoi se Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.
Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq Myzyraj analizoi dhe sjelljen e politikanëve ndaj gazetarëve.
“Pa dyshim që politikani më i ashpër ndaj medias dhe gazetarëve është kryeministri Edi Rama. Ai ka aftësinë që të të intimidojë me gjeste, pa pasur nevojën e kontakteve fizike si në rastin e koleges Ambrozia Metës.
Ndërsa, njeriu më i hapur më mediat është ish-kryeministri Sali Berisha”, theksoi Myzyraj, ndërsa shtoi se duhet të ketë më shumë solidaritet nga vetë gazetarët në raste të intimidimit apo kërcënimeve që vijnë nga faktorët politikë.


