Tabaku: Qeveria i ka kthyer shpinën shtresës së mesme, taksimi i profesioneve të lira abuzim

Gjatë fjalës së saj deputetja e PD, Jorida Tabaku, foli në lidhje me profesionistët e lirë dhe taksimin e tyre nga qeveria duke akuzuar mazhorancën për vendosjen e një barre fiskale të dëmshme dhe të rëndë mbi këtë shtresë.

“Parlamenti pati nderin e veçantë të hënën ku dëgjoi në të pakta dalje të tij, ministrin e Financave, të fliste përsa i përket ekonomisë. “Ata kopukët (29.000 profesionistët e lirë), marrin më shumë xhiro e fitim sesa bankat” tha ai. Por kur ngatërron dardhat me mollët dhe kur e ke gjithë ditën mendjen aty, sigurisht që këto llogari do të bësh. “ u shpreh Tabaku

Tabaku: Qeveria i ka kthyer shpinën shtresës së mesme. Është e vështirë të rikthejmë vëmendjen ku ka interes për qytetarët duke u nisur nga diskutimet që patëm dhe tema të rëndësishme si ajo e vjedhjes në Bashkinë e Tiranës që unë do flas më vonë. Dua të fokusohem tek një temë e rëndësishme dhe me interes për njërëzit e punës, për ata që e kanë punën si model dhe jo vjedhjen, tek taksa e Profesioneve të Lira. Gjykata Kushtetuese njoftoi që me 18 Qershor do të ketë një seancë të përbashkët për të dëgjuar padinë e Grupit Parlamentar të PD-së, por dhe të organizatave dhe shoqatave të tjera që janë bashkuar në taksën e padrejtë dhe antikushtetuese për Profesionet e Lira.

Parlamenti pati nderin e veçantë të hënën ku dëgjoi në të pakta dalje të tij, ministrin e Financave, të fliste përsa i përket ekonomisë. “Ata kopukët (29.000 profesionistët e lirë), marrin më shumë xhiro e fitim sesa bankat” tha ai. Por kur ngatërron dardhat me mollët dhe kur e ke gjithë ditën mendjen aty, sigurisht që këto llogari do të bësh.

Së pari, janë 29.000 Profesionist të Lirë të cilët siç tha ministri i Financave kanë një fitim prej 510 Mln Euro; i pjesëtuar del 1400 Euro në muaj. Sa banka, sa aksioner bankash ka Shqipëria? A ka aksioner banke që merr sot më pak seç merr në muaj një profesionist i lirë? A ka llogari shteti që të shohi sesa shumë po i ikën ekonomisë dhe sa shumë po e dëmtojnë këtë shtresë të mesme? A e dini se në Shqipëri çdo vit, një qytet me madhësinë e Gjirokastrës i largohet Shqipërisë? 55.000 shqiptarë! Dhe sot të dhënat e fundit nga sondazhi i Profesionistëve të Lirë thonë që 35% e tyre do ta mbyllin biznesin, ndërkohë që 23% e tyre do largohen. Prandaj nuk dalin as të dhënat e Censusit, sepse sot Shqipëria ka shkuar në pothuajse 2 Milionë banorë edhe prej kësaj politike fiskale që dëmton shtresën e mesme. Taksa e pandershme e Profesioneve të Lira, e dëmshme për ekonominë që sot po gjobit punën. Nga ana tjetër kemi fondet e Buxhetit të Shtetit që shkojnë në drejtim të paditur ashtu siç e kemi parë me skema korruptive. Sot do të jetë një pengesë shtesë, një taksë shtesë mbi njerëzit e punës!

Nuk ka shtet pa taksa, askush nga ata nuk po kërkon që mos të paguaj taksa, por po kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të barabartë. Pse sot vendoset një taksë dhe i thuhet vitin tjetër do t’ju ulim kamatëpagesën, sepse viti i ardhshëm është elektoral? Se në vitin 2021 jua hoqët taksën sepse ishte vit elektoral; përsëri do t’i ulin vitin tjetër sepse është vit elektoral. Kjo është politika e taksave të kësaj qeverie që funksionon me cikle elektorale; që heq taksat tek shumica dhe jua vendos këtyre që sot sjellin jo vetëm të ardhura në Buxhetin e Shtetit, punësim e ekonomi, por që kanë vendosur të jetojnë dhe të kontribuojnë këtu?

Është skemë abuzive sepse qeveria socialiste ka vendosur një skemë abuzive që në 2013 që e ka penalizuar punën dhe ka nxitur informalitetin sepse i jep favore fiskale, heq taksat nga një grup i caktuar dhe vendos këtë barrë fiskale mbi shtresën e mesme. Përse mos të trajtohen këta individë si çdo lloj tjetër biznesi? Përse këta individë, megjithëse janë me përgjegjësi të pakufizuar deri në pronën e tyre personale dhe mbajnë riskun dhe kanë shpenzime shtesë, sot do të taksohen më shumë se e njëjta punë për të njëjtin nivel pune, për të njëjtin nivel të ardhurash?

Çfarë i kushton buxhetit të shtetit 30 Mln Euro shtesë që thonë do të vijnë në buxhet nga kjo taksë, kur 30 Mln Euro i harxhoi Erion Veliaj atje me ata drejtorët, i morën në xhep pa kryer asnjë punë? Çfarë i kushton kur janë 430 Mln Euro inceneratorët, çfarë janë 30 Mln Euro? Është thjeshtë dëmi që i shkaktojnë shtresës së mesme, Profesionistëve të Lirë, ekonomisë dhe koncepti që kanë për punën, për taksën, për barazinë para ligjit.

Këto shqetësime shpresoj që Gjykata Kushtetuese në seancën e datës 18 Qershor t’i shohi seriozisht sepse është një sektor i tërë me të rinj, me profesionistë që jetojnë këtu në Shqipëri, që nuk kanë zgjedhur që të ikin e largohen dhe t’i japin hapësirë atyre modeleve ku tenderat i marrin po të njëjtët persona, ku japin të ardhura po familjeve të tyre, ku buxhetin e shtetit e konsiderojnë si plaçkë, por kanë vendosur që të kontribuojnë këtu në Shqipëri. E shohin ndryshe kontributin dhe punën e tyre.

Si rezultat i kësaj takse të gjithë këto biznese padrejtësisht janë mbitaksuar. A do të llogarisi shteti kamatën mbi të ardhurat që janë duke i paguar shtetit në këtë moment? A ka llogaritur shteti rritjen zinxhir të çmimeve të të gjithë shërbimeve që po ndodh sot që nga TIK dhe avokat, dentistë... dhe çdo profesion tjetër i lirë? A ka llogaritur shteti koston e të ardhurave të munguara në Buxhetin e Shtetit e bizneseve të mbyllura? 11.000 biznese janë mbyllur deri më sot sipas të dhënave që QKB më ka siguruar. çfarë sistemi po ngrejmë sot, e vlerësojmë punën vetëm me 1 Maj apo e vlerësojmë çdo ditë të vitit? Vlerësojmë korrupsionin që e kemi ngritur në piedestal me skemat që sot po shohim përditë, me kulturë që sot po rrënjoset për vjedhjen, për hajdutërinë, apo vlerësojmë këto njerëzit e punës?

Këtë duhet të gjykojë Gjykata Kushtetuese! Falenderoj deputët e PD-së që firmosën ato padi dhe të gjitha ato organizata që ju bashkuan nismës kundër shkeljës së 29.000 profesionistëve, shkelje që po i bëhet nga qeveria. Shpresoj që kjo këmbanë alarmi qeveria ta shoh, sepse është këmbanë alarmi për ekonominë, për atë që po ndodh sot me një shtresë të mesme që po largohet përditë, që po reflektohet në të ardhurat e buxhetit të shtetit, në shërbimet që ofrohen, në klasat që po zbrazen.

Po fliste zv. Ministrja e Arsimit për klasa “smart”, për TIK, por sot klasat janë mbyllur në pjesën më të madhe të shkollave në periferi. Për çfarë i duhet atyre klasat “smart”? Për të bërë ca tendera qeveria kur sot nuk ka nxënës nëpër shkolla? Për çfarë duhet sot të diskutojmë për një propagandë që nuk ekziston? Ndërkohë që shpopullimi masiv sot që po ndodh dhe me shtresën e mesme, ka një emër, vjen prej këtij sistemi që nuk ofron meritën, që nuk vlerëson dhe promovon punën, promovon hajdutërinë. Prandaj ndodhemi këtu!

I bëj thirrje të gjithë Profesionistëve të Lirë që sot janë duke operuar dhe mbijetuar me bizneset e tyre që sot është më e nevojshme se kurrë të vazhdojmë të jëtojmë dhe të kontribuojmë këtu! Nuk është zgjidhje t’jua lëmë këtyre hapësirën! Nuk është zgjidhje që të largohemi! Nuk është zgjidhje që sot të kemi mundësinë t’i lëmë hapësirë këtij sistemi që ka zënë rrënjë, që po rritet në institucionet shqiptare. Sot duhet patjetër të gjithë të bëhemi t’i themi JO, edhe duke mos u larguar, edhe duke qëndruar këtu, edhe duke refuzuar këtë model që fatkeqësisht është kthyer në kulturë vitet e fundit dhe po mbizotëron. Por jam e sigurtë që Shqipëria di më mirë, Shqipëria do më shumë!