Basha kërkon interpelancë me Ulsi Manjën për Amnistinë: U liruan 100 të dënuar nga GJKKO
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha denoncoi nga jashtë Kuvendit se 100 persona të dënuar nga GJKKO, janë liruar falë amnistisë penale.
Ai tha se i ka kërkuar ministrit Manja interpelancë urgjente për këtë çështje. Ai sulmoi dhe grupin e Bardhit dhe Berishës për pazare me Ramën.
“Ulsi Manja dhe qeveria ka pasur vetëm një interes, i kanë mbajtur 3 muaj më shumë në burg personat e dënuar për të liruar rreth 100 persona të dënuar për korrupsion. Kemi depozituar kërkesë për interpelancë me Manjën.
PD dhe deputetët tanë, që kanë dalë nga votat e demokratëve nuk mund të përfshihen në këtë pazar të ndyrë. Po jepet mesazhi që kur zyrtarët dënojnë qeveria me ata që ndodhen në Kuvend me votat e demokratëve, i lirojnë”, tha ai.
Basha në fjalën para nisjes së seancës në Kuvend ka komentuar në lidhje me Amnistinë Penale dhe faktin që SPAK ka deklaruar se prej tyre kanë përfituar disa persona.
Por gazetarët e kanë detyruar Bashën të devijojë fjalën, duke i kërkuar koment në lidhje me protestën që po mbahet para Kuvendit nga gazetarët e terrenit. Basha tha se trajtimi i kësaj çështjeje kërkon angazhim politik dhe një qëndrim të qartë e të prerë.
“Siç është zbuluar nga media, mbi 100 persona që janë dënuar nga GJKKO, janë liruar. Në kundërshtim total me zotimet e marra. Kjo është njollë e zezë! Politikanët nuk kanë punuar që të pengojnë punën e gazetarëve dhe të ushtrojnë presion. Sot jetojmë nga një ambient mediatik i dominuar nga interesat politikë.
I mbajnë gazetarët për bukën e gojës, dhe ata janë më të kapur. Demi duhet kapur nga brirët. Kërkohet një angazhim më i madh. Sapo presion të këtë ndaj pronarëve të medias, ata nuk bëjnë dot gjë nëse ndeshen me murin e gazetarëve. Edhe PD ka pjesë nga reflektimi i këtij problemi.
Nuk mendoj se jemi shkaku i këtij problemi, por duhet të jemi pro luftimit të fenomenit të sulmeve ndaj gazetarëve. Duhet të mbështesim një faqe të re të medias shqiptare.”, theksoi Lulzim Basha.


