VIDEO/ 8 orë në Prokurori, Erion Veliaj: Falënderoj kolegët e SPAK-ut për punën me iniceratorin e Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pasi u mor në pyetje për rreth 8 orë lidhur me iniceratorin e Tiranës.
Për gazetarët, Veliaj u shpreh se kishte kohë që kishte kërkuar që të thoshte fjalën e tij për çështjen e inceneratorëve, e cila sipas tij, u ezaurua.
Veliaj deklaroi ndër të tjera se ndihej i lehtësuar që pati mundësinë të fliste për këtë çështje dhe shtoi se e kishte kërkuar këtë takim me prokurorët e SPAK.

“Do doja të falenderoja kolegët e SPAK, ma ka rritur bindjen se është bërë inestim për së mbari në Shqipëri. E vetmja gjë që mund t’i bëjmë është të forcojmë institucionet, mos t’i përgojojmë, të bashkëpunojmë.
Kisha kohë që kisha kërkuar një takim. Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve, të gjitha shpjegimet e nevojshme.
U thanë detaje të tjera, të dy kolegët hetues me kërkuan që për çështje të sekretit hetimor, të mos i ndaj me gazetarët. Sot ndihem më i lehtësuar që pata mundësinë të them fjalën time”, tha Veliaj.
Thirrja në SPAK
Ashtu siç ishte bërë me dije prej ditësh, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është paraqitur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dy janë çështjet për të cilat Veliaj mund të ketë marrë fletëthirrje nga SPAK: ajo mbi çështjen e Inceneratorit të Tiranës dhe hetimet e dosjes së korrupsionit përmes kompanisë “5D”, e cila ka kulmuar me arrestimin e njerëzve të të gjithë komandës drejtuese të Bashkisë Tiranë me rreth 9 drejtorë dhe disa zyrtarë të tjerë.
Lidhur me këtë çështje Veliaj është thirrur të dëshmojë më herët, por paraqitja e tij para prokurorëve të posaçëm u shty për arsye shëndetësore të kryebashkiakut.
Në një dalje të tij për mediat Veliaj ka thënë se është treguar bashkëpunues me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet.
Opozita ka akuzar gjatë këtyre javëve se prokurorët e SPAK-ut kanë mundur të sigurojnë fakte dhe prova, të cilat implikojnë edhe kryebashkiakun, Erion Veliaj, në, jo vetëm për faktin se ai ka qenë një person në dijeni të gjithçkaje ka ndodhur, por dyshohet edhe për veprën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”.
Ndërkaq mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës po shoqërohet me një protestë në sheshin para Bashkisë së Tiranës, ku ashtu siç ka ndodhur dhe në protestat e mëparshme, edhe sot pritet të ketë tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë që do të rrethojnë godinën e bashkisë.



